Kandidatët e lëvizjes Fatah të presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, janë fitues në shumicën e vendeve në territoret palestineze ku u mbajtën zgjedhjet lokale, përfshirë edhe qytetin Deir al-Balah në Rripin e Gazës, i kontrolluar nga Hamasi.
Në Gaza nuk janë mbajtur zgjedhje që nga viti 2006, ndërsa në pjesët e tjera të territoreve palestineze të pushtuara që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në tetor 2023.
Autoriteti Palestinez i Abasit, me seli në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi se e përfshin qytetin Deir al-Balah në Rripin e Gazës për të treguar se Gaza është pjesë përbërëse e shtetit të ardhshëm palestinez. Deir al-Balah ka pësuar më pak shkatërrime gjatë ofensivës izraelite.
Votimi, i cili kishte pjesëmarrje të ulët, u zhvillua “në një moment jashtëzakonisht delikat të sfidave komplekse dhe rrethanave të jashtëzakonshme”, tha kryeministri palestinez Mohamed Mustafa gjatë shpalljes së rezultateve.
Megjithatë, zgjedhjet përbëjnë “një hap të parë të rëndësishëm në një proces më të gjerë kombëtar të synuar për forcimin e jetës demokratike dhe në fund arritjen e unitetit të atdheut”, shtoi Mustafa.
Grupi palestinez Hamas, i cili e dëboi Autoritetin Palestinez nga Gaza në vitin 2007, nuk paraqiti zyrtarisht kandidatë në zgjedhje dhe bojkotoi garën zgjedhore në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ku pritej fitorja e Fatahut të Abasit.
Megjithatë, disa nga kandidatët në një nga listat në Deir al-Balah konsiderohen të afërt me Hamasin, duke e bërë votimin një tregues të mundshëm të mbështetjes për grupin islamist.
Sipas rezultateve paraprake, vetëm dy nga kandidatët e kësaj liste, nga shoqata e quajtur “Deir al-Balah na bashkon”, do të hyjnë në këshillin komunal prej 15 anëtarësh. Shoqata “Ringjallja e Deir al-Balah”, e mbështetur nga Fatah dhe Autoriteti Palestinez, do të marrë gjashtë vende. Vendet e tjera janë ndarë midis dy formacioneve me bazë në Gaza – “E ardhmja për Deir al-Balah” dhe “Paqe dhe ndërtim”, të cilat nuk janë të lidhura as me Hamasin as me Fatahun.
Kandidatët besnikë ndaj Abasit në zgjedhjet në Bregun Perëndimor arritën një fitore bindëse.
Zëdhënësi i Fatahut, Abdul Fatah Davla, tha se pjesëmarrja ishte afër asaj të zgjedhjeve të fundit komunale në Bregun Perëndimor në vitin 2022. Ai përshëndeti faktin që palestinezët ushtruan të drejtën e tyre për votë “pavarësisht dhunës së vazhdueshme nga Izraeli”.
Zëdhënësi i Hamasit në Gaza, Hazem Kassem, e minimizoi rëndësinë e rezultateve të votimit dhe tha se ato nuk kanë ndikim në çështjet më të gjera kombëtare. Megjithatë, Hamasi tha se do t’i respektojë rezultatet e zgjedhjeve.
Pjesëmarrja në Gaza ishte 23 për qind, ndërsa në Bregun Perëndimor 56 për qind, tha Rami al-Hamdallah, kreu i Komisionit Qendror Zgjedhor. Ai theksoi se disa kuti votimi dhe pajisje të tjera të nevojshme për procesin zgjedhor nuk arritën në Gaza për shkak të kufizimeve të vendosura nga Izraeli për arsye sigurie.
Të drejtë vote kishin më shumë se një milion palestinezë, përfshirë 70 mijë në Gaza.
