Gazetare: Melihate Rustemi

Edhe pse në disa pjesë të shtegut të Kanionit të Matkës vërehen gjurmë të rrëshqitjeve të shkëmbinjve, turistët vazhdojnë të kalojnë, shpesh pa e ditur rrezikun e mundshëm. Banorët thonë se rrëshqitje të tilla ndodhin zakonisht gjatë periudhës së dimrit, por theksojnë se jo të gjithë vizitorët janë të informuar apo të kujdesshëm. Bizneset lokale thonë se rruga nuk ka qenë e mbyllur për vizitorët, përveç një ditë, ndërsa rrëshqitja e gurëve është pastruar me ndihmën e pronarëve të varkave.

“Nuk është çdo herë jo, kjo është tash në shkurt, në periudhën e dimrit, dy muaj ose një muaj. Turistët sërish po kalojnë? Kalojnë turistët, as nuk e dinë. Institucionet a kanë ardhur të vëndojnë ndonjë shirit ose diçka tjetër që tregon rrezikun? I kanë vendos këto shenja, a po i shihni, por prapë e kalojnë,” tha një banor.

“Nuk kishte ndalesë, ajo ishte vetëm një ditë. Rrëshqitjen e shkëmbinjve e pastruam bashkë me pronarët e varkave,” u shpreh një punonjës lokal.

“Pavarësisht shembjes së disa shkëmbinjve në kanionin Matka, turistët vazhdojnë ta vizitojnë këtë destinacion të njohur pranë Shkupit. Vizitorët shprehen se bukuria e kanionit është e veçantë, por kërkojnë më shumë kujdes, higjienë dhe masa sigurie.”

“Shumë bukur, e mrekullueshme, jemi të befasuar. Duhet të ketë më shumë pastërti, pjesa tjetër është shumë e bukur. Nuk u ndjeva shumë i sigurt kur po kaloja por kishim dëshirë ta vizitojmë,” tha një vizitor i Malit të Zi.

Ndërkohë, institucionet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat shkëmbore, veçanërisht pas reshjeve. Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim tashmë ka dalë në terren dhe ka vendosur njoftime paralajmëruese për rrezik nga rrëshqitja e shkëmbinjve. Kanioni i Matkës mbetet një nga atraksionet më të vizituara në vend, por siguria dhe mirëmbajtja mbeten sfidë për autoritetet dhe menaxhuesit lokalë. /alsat.mk

The post Kanioni i Matkës mbetet ndër destinacionet më të vizituara në kryeqytet, por infrastruktura lë për të dëshiruar appeared first on Alsat.