Gazetare: Melihate Rustemi
“Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim më inspektoratet kanë nisur aksionet inspektuese në Ndërmarrjen Publike “Hiigjiena Komunale” për të cilat u urdhëruan një ditë më parë nga Qeveria. Alsat mëson se disa inspektor kanë hyrë në këtë ndërmarrje mbrëmë dhe disa të tjerë sot brenda ditës. Informacionet e Alsat thonë se gjatë inspektimit është marrë në shqyrtim një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve për punën e kësaj ndërmarrje”, raporton gazetarja e Alsat, Melihate Rrustemi.
Vendimi për të inspektuar këtë ndërmarrje erdhi për shkak të kaosit të krijuar në Shkup me mos mbledhjen e mbeturinave për ditë të tëra.
Paraprakisht, Prokuroria e Shkupit paralajmëroi se do të zgjeroj aktivitetet e saj në rastin e mos mbledhjes së mbeturinave në kryeqytet duke shtuar se urdhrat e inspektimit nuk kufizohen vetëm në “Higjienën Komunale”, por mund të përfshijnë edhe institucione të tjera që kanë të bëjnë më këtë fushë.
Nga ana tjetër, Sabahadin Rustemi, drejtor I Higjienës Komunale tha për Alsat se aktivitetet e ndërmarrjes publike kryhen në përputhje me programin për mbledhjen dhe transportimin e mbeturinave nga territori i qytetit të Shkupit, por sipas Rustemit, në muajt e fundit ka pasur probleme me një numër të madh të automjeteve speciale komunale të cilat janë të vjetruara dhe të prishura.
Gjithashtu, drejtori Rustemi tha se gjatë ditëve të fundit, disa shoferë të automjeteve speciale komunale nuk kanë ardhur në punë pa dhënë asnjë arsyetim.
Sipas Rustemit, mungesa në punë dyshohet të ketë prapavijë politike, me qëllim uljen e efektivitetit të kryerjes së aktiviteteve të ndërmarrjes në terren.
Po ashtu, nga Higjiena Komunale thanë se në periudhën e fundit ndërmarrja është përballur edhe me sasi jashtëzakonisht të rritur të mbetjeve komunale, të vëllimshme dhe të ndërtimit të hedhura në sipërfaqet publike dhe të trafikut. Për këto arsye, mund të ketë vonesa në mbledhjen dhe transportimin e mbetjes në vende të caktuara.
Ankesa për punën e komunales vijnë edhe nga Bordi Ekzekutiv i Organizatës Sindikale të SUTKOZ-it në Higjienën Komunale të Shkupit. Sipas sindikatës, të punësuarve disa muaj u lëshohen pagat me vonesë edhe pse në llogarinë e ndërmarrjes, rregullisht transferohen mjete nga paratë që qytetarët i paguajnë faturat.
Të punësuarit kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin masa kundër udhëheqësisë së ndërmarrjes, duke dorëzuar padi penale dhe kallëzime në Inspektoratin e Punës. Nga ana tjetër, Higjiena Komunale gjatë ditës së djeshme informoi se pagat lëshohen me rregull, me disa ditë vonesë./ Alsat.mk
The post Kaos në Higjienën Komunale? Nisin hetimet, drejtori flet për lojë politike appeared first on Alsat.