Policia në koordinim me Prokurorinë arrestoi dy persona në Reçicë të Vogël, Tetovë. Njëri prej tyre, K.H. (20), kishte kërcënuar në internet se do kryente një sulm me armë zjarri, duke marrë si shembull masakrën e 2012 në SHBA.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan: automatik AK-47 me karikatorë, pistoleta të ndryshme, mbi 600 fishekë, jelekë taktike dhe thika.
K.H. dyshohet për terrorizëm, ndërsa personi tjetër, D.H. (89), për mbajtje dhe tregtim të paautorizuar të armëve dhe materialeve shpërthyese.
“I dyshuari K.H. (20) në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social “Discord”, kishte dërguar një kërcënim serioz se ishte i gatshëm të kryente një sulm me armë zjarri – automatikun AK-47, i njohur si Kallashnikov, duke theksuar se kishte probleme me shëndetin mendor. Si inspirim për këtë sulm, ai kishte marrë ngjarjen e 14.12.2012 në SHBA, kur Adam Lanza – një djalë 20-vjeçar, në një shkollë në SHBA vrau 26 persona, prej të cilëve 20 ishin fëmijë. Pas marrjes së informacionit nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se FBI kishte kërkuar identifikimin e menjëhershëm të profilit në “Discord” që ndodhej në vendin tonë dhe nga ku u drejtuan kërcënimet serioze, Ministria e Brendshme në koordinim me Prokurorinë ndërmori veprime për zbulimin e autorit. Pas identifikimit dhe lokalizimit të adresës së përdoruesit, më 17.02.2026, punonjës policorë kryen bastisje në shtëpinë dhe në objekte të tjera në lokacionin në Reçicë të Vogël në Tetovë. Gjatë kontrolleve, te K.H. dhe te anëtarë të ngushtë të familjes së tij u gjetën dhe u sekuestruan disa sende që janë objekt i veprës penale, si: lloje të ndryshme dhe kalibra të armëve, automatik AK-47 me dy karikatorë me 40 fishekë 7.62x39mm, pistoletë “M57” me dy karikatorë me 49 fishekë, pistoletë “CHEROKEE” me dy karikatorë dhe mbi 600 fishekë 9mm, jelekë taktike dhe jelekë mbrojtës, thika me gjatësi të ndryshme, dhe mjete të ndryshme elektronike provuese”, thonë nga MPB.
Lajmi është në përditësim…










