Kardiokirurgët Kolev dhe Xhelili trajnohen për teknika të avancuara robotike në Francë, me sistemin ‘Da Vinci’

Kardiokirurgët e Klinikës Universitare për Kardiokirurgji në Shkup, Aleksandar Kolev dhe Kujtim Xhelili, po qëndrojnë në Spitalin Universitar të Kardiokirurgjisë në Bordo, Francë, ku po marrin pjesë në një punëtori për trajnim dhe njohje me disa prej teknikave më inovative në kardiokirurgjinë moderne, përcjell TV21.

“Bashkë me kolegun tim, Kujtim Xhelili, patëm një mundësi jashtëzakonisht të çmuar të marrim pjesë në këtë punëtori edukative në Spitalin Universitar të Kardiokirurgjisë në Bordo, e organizuar nga Peters. Nën mentorimin e profesorëve të njohur Thomas Modine, Louis Labrousse dhe Julien Peltan, u njohëm nga afër me disa nga teknikat më të avancuara në kardiokirurgjinë bashkëkohore. Ndër to, më sofistikuara dhe më e rafinuara ishte përdorimi i sistemit robotik ‘Da Vinci’ për riparimin e valvulës mitrale, si edhe procedura të tjera minimalisht invazive. Përmes sesioneve praktike të trajnimit, ushtruam realizimin e anastomozave në modele reale, duke përdorur pajisjet më të fundit ndihmëse kirurgjikale”, shkroi kardiokirurgu Kolev në profilin e tij në Facebook.

Ai veçoi faktin se kardiokirurgjia, si një nga degët më të reja të mjekësisë, vazhdon të zhvillohet me shpejtësi.

“Për ne, si kardiokirurgë që vijmë nga një vend i vogël si Maqedonia, është me rëndësi të madhe të jemi në hap me këto inovacione, me qëllim që t’u ofrojmë pacientëve tanë cilësinë më të lartë të trajtimit”, theksoi dr. Kolev.