Kandidatët për kryetar të Tetovës kanë vazhduar aktivitetet edhe në ditën e katërt të fushatës zgjedhore.

Kryetari aktual, i cili garon edhe për një mandat nën ombrellën e VLEN-it, Bilall Kasami ka kryer inspektime në terren, ku ka deklaruar: “shtrojmë rrugët e Tetovës dhe fshatrave”.

“Në bashkëpunim me qeverinë me një investim prej 15 milionë denarë, arritëm një transferim të plotë të bllokut urban 70, në kuadër të transferimit të infrastrukturës rrugore të qytetit tonë. Po ndërtojmë shumicën e rrugëve në lagjen “Drenovë”, lagjen “Teqe”, lagjen “Potok”, lagjen “Kolltuk”, lagjen “jashtë Vardarit”, lagjen tek Xhamia e rinisë, lagjen “Tetovarja”, lagjen “Cetinska”, bllokun urban përballë Tregut të gjelbër apo siç njihet lagjja “Hajduçka”, në Reçicë te vogël dhe të madhe, Xhepçishtë, Sellcë, Llacë, Shipkovicë, Saraqinë”, tha Kasami.

E si formë kundërpërgjigje, erdhi vizita e Rexhepit në Reçicë të Madhe. Ai tha se “është turp, sepse shtrohen rrugë në fushatë zgjedhore”.

“Miq, jemi në Reçicë të Madhe dhe është një turp që po ndodh këtu. Këto rrugë po shtrohen në fushatë zgjedhore, sepse ata e dinë se asnjë denarë në këto rrugë nuk do të bëhen në këtë mandat. Të gjitha këto rrugë do të duhet t’i paguajmë ne. Ne ju premtojmë banorëve të Reçicës se projekti i kanalizimit, në mandatin tonë do të bëhet realitet”, tha Rexhepi.