Gazetar: Suad Bajrami
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në intervistën për Alsat deklaroi se brenda koalicionit VLEN dominon argumenti që të shkrihen në një parti. Sipas Kasamit, ideja është që VLEN-i si parti të ketë një kryetar, megjithatë vendimet të merren në kuadër të një organi të quajtur Presidencë, i cili do të përbëhej nga eksponentë të lartë nga partitë përbërëse. Kjo, do të parandalonte që në të ardhmen kryetari të mos mund ta rrëmbejë partinë dhe të përjashtojë të tjerët. Ndonëse nuk dihet ende se kush do të jetë kryetar, megjithatë Kasami tha që do të mbahet llogari që çdo parti përbërëse e VLEN-it do të përfaqësohet denjësisht.
“Para se më i dhënë peshën kryesore një kryetari, domethënë të jemi parti klasike lideriste ku kryetari është gjithçka, pra kemi kryetarin dhe partinë, nënkupton që të kemi një Presidencë apo një kryesi të VLEN-it, ku pjesën më të madhe, nëse jo krejt vendimet si deri tash do të merren me konsensus dhe sigurisht që pjesët përbërëse apo kryetarët e subjekteve të cilët e përbëjnë VLEN-in të kenë pozita të rëndësishme në këtë organizatë”, tha Bilall Kasami, VLEN.
Lidhur me negociatat për ndryshimet kadrovike dhe vendet vakante, Kasami theksoi që janë në proces të ofrimit të deputetëve të opozitës, ndërsa u bëri ftesë përfaqësuesve të Aleancës për Shqiptarët t’i bashkëngjiten VLEN-it.
“Ne vlerësojmë që Aleanca e ka vendin në Qeveri. Pjesë e koalicionit VLEN. Cila Aleancë? Aleanca. Aleanca e përgjithshme? Do të ketë vend prapë për Taravarin në VLEN? Nuk flasim për Taravarin apo… ne flasim për Aleancën pasi ne vlerësojmë që Aleanca është brenda VLEN-it dhe ne vlerësojmë që aktivistët e Aleancës e kanë vendin në VLEN. Çdo funksionar, nga pozita e deputetit deri në një aktivist të thjeshtë, ne vlerësojmë që pozitën e kanë të rezervuar në VLEN”, u përgjigj Bilall Kasami, VLEN.
Fokusi i VLEN-it gjatë kësaj periudhe, sipas Kasamit, do të jetë te zgjedhjet lokale në Gostivar dhe Vrapçisht. Ai theksoi se po bëjnë sondazhe për emrat më seriozë për t’i kandiduar, ndërsa ftoi qytetarët që të japin preferencat e tyre për kandidatët. /Alsat.mk
The post Kasami: Koalicioni VLEN po shkon drejt shkrirjes në parti dhe do të ketë kryetar appeared first on Alsat.
