Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot priti në takim u.d. ambasadoren e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Nicole Varnes, përcjell Kasami tha se qëllimi i takimit ishte informimi i ambasadores për zhvillimin e qytetit të Tetovës, por edhe për zhvillimet brenda koalicionit VLEN, si dhe qeverisë.

“Ishte një vizitë e parë pas një periudhe të gjatë dhe kishim shumë tema për të diskutuar, por ajo që ishte me rëndësi ishte informimi që ka të bëjë me Komunën e Tetovës dhe të gjitha projektet që jemi në realizim e sipër. E informuam ambasadoren detajisht me atë që ka të bëjë me pushtetin lokal dhe me zhvillimet e projekteve që realizojmë. Po ashtu u hapën tema edhe për zhvillimet e pushtetit qendror. E informuam ambasadoren edhe për zhvillimet brenda Lëvizjes VLEN dhe qeverisë për të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët dhe përditshmërinë tonë.

Mes tjerash, Kasami tha se u fol edhe për ndryshimet kushtetuese.

“U diskutua, edhe këtu dhamë qëndrimin tonë që ne si VLEN jemi të interesuar që ky proces sa më shpejtë të përfundojë dhe sa më shpejtë Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Kasami.