Bilall Kasami mori mandatin e dytë për ta drejtuar komunën edhe në katër vitet e ardhshme.

I falënderoi qytetarët që e kanë përkrahur, gjersa u zotua se do të vazhdojë që të jap kontribut për qytetin. Premtoi mbylljen e disa mega-projekteve, siç është stadium dhe stacioni-filtrues.

“Veç më janë duke u realizuar disa mega-projekte për Tetovën, siç është stadiumi i qytetit i cili me punët që do të vazhdojnë të realizohen do të bindim edhe ata që më së paku kanë besuar se ai stadium do të ndërtohet për shkak të dështimit dhe mashtrimit që kanë qenë në të kaluarën. Gjithashtu dhe realizmi i projekteve infrastrukturore, po ashtu një projekt që ka të bëj me kanalizimin fekal – një projekt mbi 40 milionë euro për kolektorin kryesor për ujëra të zeza apo filtër-stacionin, impiantin e pastrimit të ujërave të zeza në fshatin Falisht”, tha Kasami.

Në 100 ditshin e parë Kasami premtoi vazhdimin e projekteve dhe transport falas për të gjithë qytetarët e Tetovës.

“Në 100 ditshin e parë do të realizohet edhe transport publik falas dhe atë që nuk e përmenda në pjesën hyrëse premtimi që çdo nxënës që do të regjistrohet nga viti ardhshëm shkollor në klasë të parë do të ketë nga 100 euro nga materiale shkollore, të gjithë ato premtime që teknikisht do të mund të realizohen, do të realizohen”, tha më tej Kasami.

I pyetur nëse do të vazhdojë asfaltimi i rrugëve edhe pas zgjedhjeve, pasi që kushtet klimatike nuk ishin problem në fushatë që të asfaltohet, Kasami tha se projektet do të vazhdojnë deri sa të ketë mundësi.