Ka disa ditë që po qarkullojnë zëra se Fatmir Limani ka pakënaqësi për zhvillimet në Lëvizjen Besa.

Fillimisht para disa ditëve Kryetari i Besës, Bilall Kasami bashkë me deputeten Valbona Adili Emini, zhvilloi takim me udhëheqësinë e degës së partisë në Kërçovë, ku nuk ishte i pranishëm Fatmir Limani. Por Kasami thotë se kjo nuk përbën ndonjë shqetësim.

“Ne jemi në komunikim me gjithë ministrat dhe gjithë funksionarët që janë brenda VLEN dhe Besës. Mund të ndodh që në momente të caktuara mos të jetë prezent dikush, por deri tani nuk është që ka ndonjë shqetësim që do kisha theksuar në opinion”, tha Bilall Kasami – Kryetar I Besës.

Ndërkohë Limani pati një status në facebook në lidhje me zgjedhjen e liderit të VLEN-it. Ai paralajmëroi se përjashtimi, pazaret politike dhe favorizimi i individëve pa kontribut real rrezikojnë seriozisht shkatërrimin e koalicionit.

“Lufta me bërryla, mospërfillja e aktorëve që sollën bashkimin dhe ndërtuan këtë forcë të përbashkët që sot quhet VLEN, si dhe hapja e dyerve për figura të dyshimta që deri dje e luftonin këtë koalicion, do të ishte fatale për të gjithë ne duke zhgënjyer secilin votues që besoj në sloganin “ Jemi një zë”

Nëse veprohet mbi logjikën “mbledh çfarë të bie përpara” vetëm sepse dikush të përkëdhel përkohësisht, atëherë ekziston rreziku real që në ditën e emërimit të liderit të fillojë edhe shkatërrimi i VLEN-it”, pohoi Fatmir Limani – Nënkryetar i Besës.

Në lidhje me këtë Kasami u shpreh se çdo anëtar ka të drejtën e plotë që të japë qëndrimet e vet.

 “Unë vlerësoj që çdo anëtar i çdo subjekti politik ka të drejtën e plotë që të japë qëndrimet e tij për rrugëtimin e mëtutjshëm të VLEN-it dhe edh ereagimin e z.Limanit dhe të tjerat i shohim në këtë drejtim , sesi të gjejmë rrugën më të shkurt dhe më të mirë që VLEN-i sa më shpejtë të bëhet një subjekt politik”, u shpreh Bilall Kasami – Kryetar I Besës.

Limani para disa ditëve për TV21 tha se sa më shpejtë të formohen juridikisht organet e partisë VLEN, aq më shpejtë do të merr formë partia.

“Mendoj se të gjithë e dinë se kush mund të jetë përfaqësuesi më i mirë i shqiptarëve, në kuadër të kësaj përbërje, e cila quhet VLEN. Këtë duhet t’ua lejmë organeve partiake dhe strukturës që përbën subjektin e VLEN-it siç janë LD, ASH, Besës, Alternativës dhe në fund të presim të realizohet pritshmëria e popullsisë”, theksoi Fatmir Limani – Nënkryetar i Besës.

Ndërkohë Kasami shtoi se në VLEN po kërkohet opsioni më i mirë për shkrirje në subjekt politik, dhe se me se shumti po shqyrtohet modeli që të jetë me rotacion.