Kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, mbrëmë në tubimin në Poroj prezantoi mega-projektin duke nisur nga qendra e qytetit, depërtimi i bulevardit “Ilinden” deri tek stadiumi. Siç tha me projektin e stadiumit dhe me dy blloqet urbane, përfundimisht qendra e qytetit do të bëhet qendër e mirëfilltë urbane së bashku me kompleksin e ndërtimeve.

“Në mandatin e dytë do të vazhdojmë me një projekt tjetër po aq të rëndësishëm dhe ndoshta më të rëndësishmin sa i përket kanalizimit fekal, apo ujërave të zeza edhe këtu që do të përfshijë edhe fshatrat Poroj, Xhepçisht, tërë Tetovën, përfshirë Reçicën e madhe dhe Reçicën e vogël, një projekt diku rreth 40 milion euro me çka përfundimisht Tetova do të jetë ndër komunat apo qytetet e rralla që do të ketë edhe kolektor të ujërave të zeza.

Kandidati i AKI-së për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, shpalosi planin për Kodrën e Diellit. Tha se do të ndërtohen 20 hotele të reja, ndërsa për përmirësimin e infrastrukturës tha planifikohet të bëhet me partneritet publiko-privat. Përveç kësaj Rexhepi tha se do të ndërtohet edhe teleferik dhe garazhet me kate

“Plani është që të ndërtohen edhe së paku dy hyrje të reja në Kodrën e Diellit. Sigurisht që edhe pjesa e infrastrukturës është planifikuar do të ndërtohet një pishinë e madhe për prodhimin e borës artificiale, do të ndërtohen shtigjet e reja të skijimit. Plani tjetër është që edhe infrastruktura në qytet të organizohet si duhet, të krijohen kushte që turistët të kenë mundësi shumë më të lehta të vijnë deri në Kodër të Diellit”, tha Rexhepi.