Ndërmjetësit e Katarit pritet të zhvillojnë bisedime të ndara sot ose nesër me Ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araqchi në Nju Jork dhe me palën amerikane, tha sot një zyrtar i njohur me negociatat.

Duke folur për Reuters, zyrtari tha se bisedimet pritej të përqendroheshin në një version të rishikuar të propozimit me shtatë pika që Irani paraqiti javën e kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Araqchi mbeti në Nju Jork pasi mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme; agjencia shtoi se ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë palën amerikane në bisedimet me ndërmjetësit.

Në planin e tij me shtatë pika, Irani propozoi ndërprerjen e të gjitha armiqësive në Iran dhe Liban, zhbllokimin e aseteve iraniane me vlerë miliarda dollarë, heqjen e sanksioneve mbi naftën iraniane dhe fundin e bllokadës amerikane të porteve iraniane.

Në këmbim, Teherani do të lejonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa të dyja palët do të vazhdonin negociatat lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të shtunën se e kishte hedhur poshtë propozimin iranian, duke thënë se Teherani dëshironte një marrëveshje të shpejtë për shkak të presionit të rëndë ekonomik me të cilin përballet.

Megjithatë, Trump i tha dje medias amerikane Axios se pret që negociatorët amerikanë të rifillojnë bisedimet këtë javë. Araqchi tha dje se ndërmjetësit nuk e kanë informuar zyrtarisht Teheranin se Uashingtoni e ka hedhur poshtë propozimin dhe se Irani po pret qëndrimin përfundimtar të SHBA-së përpara se të vendosë për hapat e mëtejshëm, raporton Tanjug.

“Kushtet tona janë të qarta dhe çdo hap drejt rihapjes së Ngushticës së Hormuzit varet nga përmbushja e këtyre kushteve”, tha Araqchi, duke shtuar se ngërçi mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave.

The post Katari fillon bisedime të ndara për armëpushim me SHBA-në dhe Iranin appeared first on Alsat.