Majed Al-Ansari, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, vendi që po ndërmjetëson mes SHBA-së dhe Iranit i ka thënë CNN se prioriteti kryesor është hapja e Ngushticës së Hormuzit.

“Kemi dy prioritete kryesore: E para është të sigurojmë që ngushtica të jetë e hapur dhe që presioni ekonomik mbi të gjithë ne kolektivisht të hiqet. E dyta është të sigurojmë që të mos ketë përshkallëzime ushtarake në rajon,” deklaroi Al-Ansari.

Ai theksoi se nuk duhet të “ngrihet pezull” ky konflikt, për t’u rikthyer sërish pas disa muajsh.

“Bota nuk mund të përballojë normalizimin e idesë që një ngushticë, një rrugë ujore, të përdoret dhe të kthehet në armë në këtë lloj konflikti. Kjo mund të përsëritet edhe në vende të tjera, me pasoja edhe më të dëmshme. Duhet ta ndalim këtë që në fillim. Nuk mund të bëhet normale e re e luftës që vendet thjesht të mbyllin rrugët ujore në këtë mënyrë”, ka theksuar Al-Ansari.

Al-Ansari kujtoi se perandoritë janë ngritur dhe janë rrëzuar pikërisht nga kontrolli mbi rrugë të tilla ujore, duke sjellë vdekje e shkatërrim në nivele të paimagjinueshme kur siguria detare është cenuar.

“Bota sot, vetëm me një ngushticë të prekur në këtë mënyrë, po përballet me probleme inflacioni, me probleme të sigurisë energjetike, me probleme të sigurisë ushqimore; po përballet me një katastrofë industriale nëse kjo vazhdon”, shtoi ai.

Sipas tij, ka shumë pengesa për një zgjidhje: njëra ka të bëjë me vullnetin politik, tjetra është thjesht teknike dhe lidhet me gjetjen e zgjidhjeve teknike.