Punimet për rikthimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes në disa zona të jugperëndimit të Berlinit po vazhdojnë edhe sot, ndërsa dhjetëra mijëra banorë kanë mbetur pa furnizim për të katërtën ditë radhazi, në një kryeqytet të mbuluar nga bora dhe temperaturat nën zero.

Rreth 45 mijë familje dhe mbi 2 mijë e 200 biznese në lagjet Nikolassee, Zehlendorf, Wannsee dhe Lichterfelde mbetën pa energji të shtunën, pasi kabllo të tensionit të lartë që furnizojnë një central elektrik u përfshinë nga zjarri.

Autoritetet gjermane dyshojnë se pas këtij sulmi qëndron një grup militantësh të majtë.

Deri tani, energjia elektrike u është rikthyer rreth 19 mijë e 500 familjeve dhe rreth 1 mijë bizneseve. Megjithatë, operatori i rrjetit, “Stromnetz Berlin”, ka njoftuar se rikthimi i plotë i furnizimit mund të zgjasë deri të enjten, për shkak të kompleksitetit të riparimeve.

Policia, zjarrfikësit dhe ushtria janë angazhuar në zonat e prekura për të ndihmuar banorët që nuk kanë pasur mundësi të strehohen te familjarë apo miq në pjesë të tjera të qytetit.

Spitalet kanë vijuar punën falë gjeneratorëve të emergjencës dhe tashmë furnizimi me energji u është rikthyer. Ndërkohë, 72 nga 74 shtëpitë e kujdesit të prekura po furnizohen sërish me energji, sipas autoriteteve.