Profesori Jove Kekenovski vlerëson se zgjedhja e prokurorit të ri publik hap mundësi për më shumë pavarësi në punën e prokurorisë, por shton se integriteti dhe paanshmëria e vërtetë do të mund të vlerësohen vetëm me kalimin e kohës.
Në emisionin Click Plus në TV21, Kekenovski theksoi se opinioni pret që në krye të prokurorisë të jetë një person që nuk ka lidhje partiake dhe që nuk do të punojë në interes të strukturave politike.
“Ne të gjithë presim një njeri jopartiak. Sipas asaj që dëgjojmë dhe ndjekim në media, bëhet fjalë për një person që nuk është i afërt me asnjë parti politike. Më në fund në këtë pozitë erdhi një njeri që nuk do t’u serviloset partive politike dhe nuk do t’u shërbejë atyre, siç për fat të keq e kanë bërë shumë të tjerë në të kaluarën”, tha Kekenovski.
Megjithatë, profesori shprehu një dozë skepticizmi për sa i përket faktit nëse prokurori i ri publik do të mund ta ruajë plotësisht pavarësinë, duke theksuar se zgjidhjet ligjore për zgjedhjen e këti funksioni janë kufizuese dhe e ngushtojnë rrethin e kandidatëve.
Sipas tij, fakti që zgjedhja zakonisht bëhet nga radhët e gjyqtarëve ose prokurorëve mund të paraqesë sfidë, duke pasur parasysh se pikërisht këto struktura janë pjesë e sistemit që prej vitesh përballet me kritika për autoritet të cenuar.
Kekenovski kujtoi se në opinionin publik prej kohësh flitet për ndikime të ndryshme, klane dhe marrëdhënie joformale mes një pjese të gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që, sipas tij, e ul besimin në sistemin e drejtësisë.
“Sa do të arrijë të ngrihet mbi gjithë këtë situatë do ta tregojë koha. Do të doja të jem optimist dhe të shpresojmë që më në fund gjendja në drejtësi do të përmirësohet dhe se do të fillojmë t’i ndiejmë realisht përfitimet nga sundimi i ligjit”, theksoi Kekenovski.
