Grenlanda ka refuzuar ofertën e Presidentit amerikan, Donald Trump, për të dërguar një anije spitalore në territorin e saj. Trump kishte propozuar dërgimin e anijes për të ofruar kujdes shëndetësor për banorët e Grenlandës, duke argumentuar se ata nuk po merrnin shërbimet e nevojshme. Ai e bëri këtë deklaratë në platformën e tij, Truth Social, duke theksuar se do të punonte me Guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, për të ofruar këtë ndihmë.

Megjithatë, kjo ofertë u refuzua menjëherë nga autoritetet e Grenlandës. Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi në rrjetet sociale duke shkruar se vendi i tij ka një sistem shëndetësor të fuqishëm dhe falas për qytetarët. Ai theksoi se Grenlanda ka një shërbim shëndetësor të mbështetur nga taksat, dhe se nuk ka nevojë për ndihmë të jashtme.

“Kjo do të jetë ‘jo faleminderit’ nga ana jonë. Ideja e Presidentit Trump për të dërguar një anije spitalore amerikane këtu në Groenlandë është vënë re siç duhet. Por ne kemi një sistem shëndetësor publik ku kujdesi është falas për qytetarët”, tha ai.

Në të njëjtën linjë, kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, mbrojti sistemin shëndetësor të Danimarkës, duke theksuar se ajo është krenare për ofrimin e shërbimeve shëndetësore falas dhe të barabarta për të gjithë qytetarët.

“Jam e lumtur që jetoj në një vend ku ka qasje të lirë dhe të barabartë në shëndetësi për të gjithë. Ku nuk janë sigurimet dhe pasuria ato që përcaktojnë nëse merrni trajtimin e duhur”, tha Frederiksen.

Grenlanda ka gjashtë spitale për të shërbyer një popullsi prej më pak se 60,000 banorësh dhe ka nënshkruar një marrëveshje me qeverinë e Danimarkës për të përmirësuar aksesin në trajtime në spitalet daneze.