Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës ka kërkuar paraburgim për një 54-vjeçar të dyshuar se ka kërcënuar se do t’i digjte vajzën e tij dhe mbesën, pas së cilës ka derdhur dy shishe benzinë në shtëpi. Kundër tij tashmë po zhvillohet proces gjyqësor për dëmtim trupor të vajzës në kuadër të dhunës në familje, njoftoi Prokuroria, përcjell Pa Censurë.

Pas denoncimit penal nga SPB Kumanovë, prokuroria ka filluar procedurë për kërcënim të sigurisë. Nga atje theksojnë se sjellja e dhunshme e të dyshuarit po përsëritet, ndërsa sulmin e mëparshëm ndaj vajzës, për të cilin ai është tashmë i akuzuar, e ka kryer nën ndikimin e alkoolit.

“Veprimet e kërcënimit të sigurisë që ai ka ndërmarrë tani përfshijnë jo vetëm kërcënime verbale se do t’i digjte vajzën dhe mbesën, por edhe veprime konkrete me të cilat ai ka derdhur dy shishe benzinë në shtëpi”, theksojnë nga Prokuroria.

Pas raportimit të ngjarjes, është bërë menjëherë një vlerësim i rrezikut. Sipas tij, ekziston rrezik serioz për jetën dhe integritetin fizik e psikik të viktimës dhe anëtarëve të familjes së saj, si dhe rrezik për përsëritjen e dhunës.

Prokuroria vlerëson se ekziston frikë e justifikuar se i dyshuari mund të kryejë një vepër penale edhe më të rëndë, pra të realizojë kërcënimet, transmeton Pa Censurë.

Për këto rrethana, prokurori publik konsideron se një masë më e lehtë nuk do të arrinte qëllimin e paraburgimit dhe ka dërguar propozim në gjykatë për caktimin e tij.