“Shpirti kosmopolit i Omer Kaleshit” – kështu u quajt manifestimi ku në Kërçovë u kujtua artisti me famë botërore, Omer Kaleshi.

Në këtë manifestim u shpalos një dokumentar i shkurtër për jetën dhe veprën e tij, ndërkaq pati edhe fjalime nga njohës të punës së tij, njofton TV21.

“Interesimi dhe preokupimi kryesor i tij ka qenë gjithnjë portreti, fytyra brenga njeriut, trishtimi, dhimbja dhe gëzimi. Tablotë e Kaleshit janë e gjitha një dramë e thellë njerëzore, e cila përcillet nga ato portretet e shumta brinjësh, dervishësh, grash apo fëmijësh nëpër stacionet e trenave që nxitonin me ushqim, me shporta frutash në dorë, udhëtarët që shkonin larg”, tha Zeni Ballazhi.

Ndërkaq historiani, Ilmi Veliu zbuloi edhe frymëzimin kryesor të Kaleshit, i cili kryesisht pikturonte vetëm kokën, dhe jo edhe trupin.

“Po i kishte mbetur “zheg” (merak) që i vogël, kur ai në vitin 1943, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nënat tona tha na morën ne, fëmijëve… Ai ka qenë 10-vjeçar dhe na kanë dërguar dhe na kanë fshehur te “Birat e dhelprave”. “Birat e dhelprave” janë në Zhuprinë. Dhe kur erdh (Omer Kaleshi) më tha se “dua të më çosh te “Birat dhelprave”. I thashë unë nuk e di ku ku është ajo. E thirrëm Begzat Rahmanin edhe i gjetëm ku ishin “Birat e dhelprave” edhe ai na e sqaroi se tha “ne si fëmijë, rrinim dhe luanim, fshiheshim te “Birat e dhelprave” dhe e nxirrnim vetëm kokën dhe prej aty më kanë mbetur ai uji, edhe tradita që unë ta pikturoj vetëm kokën dhe jo të gjithë trupin e njeriut”, zbuloi Veliu.

Ndërkaq organizatori i manifestimit, Kujtim Kasami kujtoi deklaratën e Kaleshit për të mos pasur fëmijë.

“Motivi për të bërë këtë iniciativë, këtë manifestim ka qenë për mua shumë i thjeshtë. Me një intervistë të Omer Kaleshit, të ndjerit, kam dëgjuar këtë thënie të tij: “Unë, tha, nuk lë fëmijë pas, por pikturat e mia jua lë shqiptarëve të mi”. Dhe ky moment ka qenë motivi kryesor që unë së bashku me shumë shok, të filloj të përgatis këtë manifestim për ta kthyer në kujtesën tonë, në prezencën tonë, për gjeneratat që vijnë”, tha Kasami.

Manifestimi u organizua nga instituti “Akademia”./TV21