Një ngjarje shqetësuese u raportua të enjten në Kërçovë. Në disa lagje, mbi 40 qen endacakë u gjetën të helmuar dhe pushkatuar përgjatë rrugëve, duke ngritur dyshime për helmim dhe vrasje të qëllimshme. Raste të ngjashme janë regjistruar edhe më parë në lagje të tjera të qytetit.

Videoja u publikua nga një banor i lagjes, Ali Lena, i cili ka ngritur alarm për sigurinë e kafshëve, por edhe të banorëve, veçanërisht fëmijëve që lëvizin shpesh në këtë zonë.

Organizatat për mbrojtjen e kafshëve dënojnë ashpër këtë akt çnjerëzor, duke kujtuar se helmimi i kafshëve përbën vepër penale të dënueshme me ligj. Ata kërkojnë nga institucionet kompetente të nisin menjëherë hetimet dhe të zbulojnë autorët e këtij krimi ndaj jetës së gjallë.

“Për një natë janë vrarë mbi 40 qen, ndërsa për 12 vjet janë vrarë mbi 400 qen. Heshtje sistematike rreth qenve, ku në vend të trajtimit human dhe zgjidhjes së përhershme si vaksinim dhe evidentim, komuna lejon që vrasjet me armë të vazhdojnë. Mbrëmë janë vrarë mbi 23 qenë me armë zjarri. Shoqata jonë ka evidentuar rreth 400 qen të vrarë në të kaluarën, ndërsa vetëm dje janë 40”, tha Gjorgjia Nesterovski.

Nga Shoqata për mbrojtjen e kafshëve thonë se janë gjetur disa prova materiale në vendngjarje.

“Po, në lagjen ‘Vëllazërimi’ gjetëm doreza afër qenve që i kanë shfrytëzuar atje ku u helmuan qentë dhe nëpërmjet dorezave do të provojmë ta zbulojmë kush është kryerësi i kësaj vepre penale”, deklarpo Nesterovski.

Banorët u bëjnë apel autoriteteve të ndërmarrin masa të menjëhershme për mbrojtjen dhe menaxhim më të sigurt të qenve endacakë.