“Përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë”, ky është konstatimi që ka dhënë sot Këshilli i Sigurisë së Kosovës në mbledhjen që ka mbajtur.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se në këtë mbledhje është diskutuar rreth sigurisë në vend pas incidenteve të fundit. Sipas njoftimit, Këshilli i Sigurisë ka arritur në konkludim që, Serbia po tenton të shkaktojë tensione etnike dhe ndërpartiake në Kosovë.
