Pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk u arrit cenzusi, procesi zgjedhor u konsiderua i dështuar në komunat Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë–Rostushë dhe Qendër Zhupë. Si rezultat, Qeveria sot ka caktuar persona të përkohshëm që do t’i udhëheqin këto komuna deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Në mbledhjen e sotme, është vendosur që në krye të Gostivarit të emërohet Fadil Xhelili si administrator i përkohshëm, ndërsa në Vrapçisht detyra t’i besohet Bujamin Kadriut.
Mandati për zgjedhjet e përsëritura është firmosur nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe votimi do të zhvillohet më 11 janar.
Duhet theksuar se për zgjedhjet e 11 janarit, subjektet politike kanë mundësi të ndryshojnë kandidatët për kryetar komune. Sipas pritjeve, koalicioni VLEN nuk pritet t’i rikandidojë Memet Seferin në Vrapçisht dhe as Sebaedin Dautin në Gostivar.
