Nga gjithsej 41 zjarre në hapësirë ​​të hapur gjatë 24 orët e fundit, gjashtë janë aktive, nëntë janë vënë nën kontroll, dhe 26 janë shuar, njoftoi Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), transmeton Portalb.mk.

Zjarri është ende aktiv në afërsi të fshatrave Tazhevë dhe Breznicë në Komunën Makedonski Brodit, si dhe në fshatin Vitovë, Ilino dhe Brezhani në Malin Ilinska Planina.

Po ashtu edhe në Komunën e Çashkës (fshati Papradishte dhe Oreshë), në Komunën e Petrovecit (fshati Gradmanci dhe Divlje), në Koçan ( vendi i quajtur Panagjur dhe pushimorja te Ponikva) dhe në Studeniçan (fshati Draçevicë dhe Cërvena Voda).

Kujtojmë se, dje u arrestua një qytetar i Maqedonisë së Veriut, nën dyshimet për ndezje të zjarrit në hapësirat e hapura.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për ekzistimin e gjendjes së krizës për shkak të rritjes së shfaqjes së zjarreve në territorin e vendit.

Kujtojmë se është vënë ndalesë e plotë e lëvizjes në pyje dhe toka pyjore në territorin e menaxhuar nga NP “Pyjet Kombëtare”, i cili do të zgjasë deri në ditën e shfuqizimit të tij, në periudhën nga ora 06:00 deri në orën 20:00.