Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar veprime të menjëhershme kundër kirurgjisë kozmetike të zmadhimit të gjoksit, duke e quajtur atë “antisocialiste”.

Ministria e Sigurisë Publike e Phenianit ka lëshuar urdhra për të frenuar trendin “kapitalist në prishje” të implanteve të silikonit. Ata që kapen mund të përballen me ndëshkime të rënda, duke përfshirë burgosjen dhe dërgimin në kampe pune. Gjatë verës, ekipet e fshehta, pra agjentë civilë, u vendosën në pjesët qendrore të vendit, përfshirë Phenianin, për të ndjekur kirurgë plastikë të paligjshëm dhe gra me gjoks të zmadhuar dukshëm. Gratë e dyshuara se i janë nënshtruar kirurgjisë kozmetike mund t’i nënshtrohen ekzaminimeve fizike nga autoritetet.

“Gratë ose mjekët privatë të kapur mund të ndiqen penalisht për aktivitete antisocialiste, duke përfshirë dërgimin në kampe pune”, tha një burim i paidentifikuar për mediat.

Qeveria e Koresë së Veriut pretendon se rritja e interesit për kirurgjinë e gjoksit, kirurgjinë e qepallave dhe tatuazhet e vetullave është rezultat i përhapjes së “ideologjisë borgjeze” midis grave në të 20-at dhe 30-at e tyre.
 Në shtator, një mjek privat dhe dy gra të reja që i ishin nënshtruar operacionit u nxorën para një gjykate publike. Ato qëndruan për orë të tëra me kokën ulur ndërsa prokurori publik i kritikoi ashpër.

Gjyqi zbuloi se dy gratë ishin ekzaminuar fizikisht nga zyrtarë qeveritarë. Provat përfshinin implante silikoni të sekuestruara, instrumente mjekësore dhe një sasi të madhe parash, të cilat u konfiskuan nga shërbimi i sigurisë në Provincën Hwanghae të Veriut.

Kjo nuk është hera e parë që koreano-veriorët përballen me “rreziqet e kulturës borgjeze”. Më herët këtë vit, disa ushtarë të dërguar nga regjimi në frontin rus përjetuan “tronditje kulturore” kur iu dha qasje në internet dhe menjëherë u bënë të varur nga pornografia.

The post Kim Jong-un ndalon zmadhimin e gjoksit në Korenë e Veriut appeared first on Alsat.