Kina është e gatshme të luftojë deri në fund, nëse Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për të zhvilluar një luftë tarifore ose tregtare, tha të martën një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës, teksa komentoi kërcënimin e ShBA-së për një tarifë shtesë prej 50% ndaj importeve kineze.
Në përgjigje të një pyetjeje përkatëse në konferencën e përditshme për shtyp, zëdhënësi Lin Jian tha se vendosja pa kriter e tarifave nga Shtetet e Bashkuara, cenon seriozisht të drejtat dhe interesat legjitime të vendeve të tjera. Gjithashtu cenon rëndë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, dëmton sistemin tregtar shumëpalësh të bazuar në rregulla dhe ndikon seriozisht në stabilitetin ekonomik global.
foto nga VCG
“Ky është një akt tipik unilateralizmi, proteksionizmi dhe ngacmimi ekonomik, i cili është kundërshtuar gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar,” tha Lin, duke vënë në dukje se Kina i dënon ashpër dhe i kundërshton me vendosmëri veprimet e ShBA-së.
Duke vënë në dukje se nuk ka fitues nga luftrat tregtare apo tarifore dhe proteksionizmi nuk të çon askund, Lin tha se populli kinez nuk shkakton telashe, por as nuk i trembet atyre. Presioni, kërcënimi dhe shantazhi, nuk janë mënyrat e duhura për t’u marrë me Kinën.
“Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat e saj të ligjshme. Nëse Shtetet e Bashkuara injorojnë interesat e dy vendeve dhe komunitetit ndërkombëtar, duke insistuar në luftrat tarifore dhe tregtare, Kina sigurisht që do të luftojë deri në fund”, shtoi zëdhënësi.
