Kalojnë javët dhe muajt, por obsesioni i Nik Kirgiosit mbetet i njëjtë, ai është Janik Siner. Në një intervistë për podkastin “Unscripted by Josh Mansour”, tenisti australian ka bërë sërish deklarata të forta, duke akuzuar jo vetëm Sinerin, por edhe vetë ATP-në për mbrojtje të padrejtë që sipas tij i bëhet italianit.
“Raporti im me Siner është i tendosur. Pas skandalit që e përfshiu, nuk shkoj aspak mirë me disa njerëz. Ishte numri 1 në botë, nuk ka dyshim që është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe do të jetë udhëheqësi i këtij sporti për 10-15 vitet e ardhshme, bashkë me Alkarazin, por është e qartë që kanë tentuar ta mbrojnë. Pa harruar se CEO dhe të gjithë njerëzit më të rëndësishëm në ATP janë italianë”, deklaron australiani.
Megjithatë, në dallim nga herët e tjera, Kirgios këtë herë nuk i kurseu edhe fjalët pozitive për aftësitë e Sinerit si lojtar.
“Shpresoj vetëm që ka mësuar nga kjo histori dhe të vazhdojë në këtë rrugë, sepse do të jetë një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Do t’ia thosha edhe në sy. Nëse ka qenë një aksident, mirë, por nëse nuk ka qenë, do t’i thosha – Vëlla, nuk ke nevojë për këto gjëra. Sepse kur luajtëm kundër njëri-tjetrit, mendova se ‘ky djalë do të jetë i jashtëzakonshëm’. Besoj se është mjaftueshëm i fortë që t’ia dalë vetëm me meritat e veta”, u shpreh Kirgios, duke iu referuar edhe një herë përfshirjes së tanistit italian në çështjen e dopingut.
The post Kirgios me akuza serioze: Siner mbrohet nga italianët e ATP-së appeared first on Alsat.