Zyrtarët izraelitë thonë se Hezbollahu ka punuar për të rikthyer aftësitë e tij ushtarake në jug të lumit Litan, gjë që do të ishte një shkelje e armëpushimit, dhe gjithashtu është përpjekur të kontrabandojë armë në Liban, ndërsa rrit prodhimin e dronëve shpërthyes si një alternativë ndaj raketave
Në një ditë të fundit të nëntorit, rreth orës 19:00, një sulm ajror izraelit goditi një veturë në një fshat në Libanin jugor të quajtur Froun.
Kjo pjesë e vendit është zemra e komunitetit mysliman shiit dhe për dekada ka qenë nën ndikimin e Hezbollahut, milicisë dhe partisë politike shiite libaneze. Në rrugë, banderola me fytyrat e luftëtarëve të vrarë në betejë, janë të vrarura në shtyllat e ndriçimit, duke i çmuar ata si “martirë të rezistencës”.
Ekipi i BBC-së arriti në Froun një orë pas sulmit. Punonjësit e shpëtimit kishin hequr tashmë pjesët e trupit të viktimës së vetme – një burrë që më vonë u përshkrua si “terrorist i Hezbollahut” nga ushtria izraelite.
Pavarësisht një marrëveshjeje armëpushimi që hyri në fuqi nëntorin e kaluar, duke i dhënë fund luftës së fundit me Hezbollahun, Izraeli ka vazhduar me bombardimet e tij, pothuajse çdo ditë.
“Kush do të na ndihmojë?” pyeti banori, Mohamad Mokdad. Vetura ishte goditur ndërsa kalonte para shtëpisë së tij dhe ai ende po pastronte verandën.
“Kishte pjesë trupi këtu dhe në pemë”, tha ai ndërkohë që dukej edhe i dëshpëruar.
“Ne jemi kundër gjithë kësaj Unë thjesht dua të jetoj në paqe. Nuk dua parti”, thotë Mokdad.
Ai nuk e përmendi Hezbollahun – që do të thotë “Partia e Zotit” – me emër, por ndoshta kjo është ajo që donte të thoshte. “Nuk dua askënd”.
Izraeli thotë se po synon Hezbollahun dhe përpjekjet e grupit për t’u rikuperuar pasi u dobësua rëndë në luftë. Ekipi i BBC-së udhëtoi në Libanin jugor për të parë ndikimin e fushatës izraelite dhe pa se sulmet kishin shkatërruar ndjenjën e sigurisë së njerëzve dhe madje disa pikëpamje të vjetra në zonat ku Hezbollahu tradicionalisht ka gëzuar mbështetje të gjerë.
Armëpushimi në Liban i dha fund 13 muajve lufte që vrau 4,000 libanezë dhe 120 izraelitë. Izraeli dhe Hezbollahu kanë luftuar për dekada dhe ky konflikt filloi kur Hezbollahu filloi të lëshonte raketa përtej kufirit, një ditë pasi Izraeli nisi luftën e tij në Gazë në përgjigje të sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023.
Shkeljet izraelite
Armëpushimi, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe Franca, kërkonte që Hezbollahu të largonte luftëtarët dhe armët e tij nga jugu i lumit Litani, rreth 30 km nga kufiri me Izraelin, dhe trupat izraelite të tërhiqeshin nga zonat e Libanit jugor që ata pushtuan gjatë luftës. Mijëra ushtarë libanezë do të dërgoheshin më pas në zonat që kishin qenë në mënyrë efektive nën kontrollin e Hezbollahut.
Një vit më vonë, ushtria izraelite vazhdon të mbajë nën pushtim të paktën pesë maja kodrash në Libanin jugor dhe ka kryer sulme ajrore dhe me dronë në të gjithë vendin mbi objektiva që pretendon se janë të lidhura me Hezbollahun. Të dielën e kaluar, ajo vrau shefin e shtabit të grupit dhe katër të tjerë në një sulm ndaj një ndërtese në lagjen Dahieh, jashtë Bejrutit.
Unifil, forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban që vepron në jug të Litanit, thotë se Izraeli ka kryer më shumë se 10,000 shkelje ajrore dhe tokësore gjatë armëpushimit. Sipas ministrisë libaneze të Shëndetësisë, më shumë se 330 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite, përfshirë civilë.
Deri më tani, Izraeli nuk i ka bërë publike provat që thotë se ka. Por, për javë të tëra, gazetarët izraelitë janë informuar mbi planet për një përshkallëzim të mundshëm kundër grupit.
“Hezbollahu po luan me zjarrin dhe presidenti i Libanit po zvarritet”, ka thënë së fundmi Israel Katz, ministri izraelit i Mbrojtjes.
Joseph Aoun, presidenti libanez, erdhi në pushtet në janar duke premtuar një “monopol shtetëror mbi armët” – me fjalë të tjera, për të çarmatosur Hezbollahun.
Grupi konsiderohet një organizatë terroriste nga vende të fuqishme, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në. Por në Liban, Hezbollahu është më shumë se një milici. Pavarësisht sulmeve të fundit, ai mbetet një parti e fuqishme politike me përfaqësim në qeveri dhe parlament, dhe një lëvizje e rëndësishme shoqërore, duke ofruar shërbime në zonat ku shteti mungon.
Një zëdhënës i Unifil tha se ata nuk kishin vërejtur ndonjë aktivitet ushtarak nga Hezbollahu ose përpjekje për të rindërtuar infrastrukturën. Hezbollahu, gjithashtu, hedh poshtë akuzat izraelite dhe thotë se kushtet e marrëveshjes së armëpushimit vlejnë vetëm në jug të Litanit. Atje, ai nuk ka kundërshtuar operacionet e ushtrisë libaneze kundër arsenalit të tij.
Grupi nuk ka qëlluar mbi Izraelin që kur armëpushimi hyri në fuqi, megjithëse lëshoi disa mortaja që goditën një bazë ushtarake izraelite në zonën e diskutueshme të Malit Dov/Shebaa Farms në Lartësitë e pushtuara të Golanit në dhjetor, në përgjigje të asaj që tha se ishin shkelje të përsëritura izraelite.
Javën e kaluar, lejtnant kolonel Avichay Adraee, zëdhënësi arab i ushtrisë izraelite, publikoi në mediat sociale një paralajmërim për fshatin libanez Beit Lif: Izraeli kishte zbuluar “dhjetëra infrastruktura terroriste” që i përkisnin Hezbollahut dhe do të vepronte për të eminimuar çdo kërcënim. Të shqetësuar se një sulm mund të ishte i afërt, banorët bënë një thirrje publike, vonë natën, që ushtarët libanezë të dislokoheshin.
BBC-ja ka vizituar Beit Lifin mëngjesin tjetër. (Për të udhëtuar në Libanin jugor, duhej të informohej zyra e medias së Hezbollahut në Bejrut). Fshati kishte një popullsi prej rreth 8,000 banorësh para luftës; tani, ka mbetur më pak se një e treta.
Imami vendas, një burrë 63-vjeçar që nuk donte t’i publikohej emri, tha se ushtarët libanezë kishin mbërritur me trupat e Unifil, kishin patrulluar rrugët dhe ishin larguar pas rreth pesë orësh, para agimit. Ushtria libaneze ka refuzuar të inspektojë pronat private, ndoshta për të mos u parë se po bashkëpunon me Izraelin. Edhe në Beit Lif, tha imami, ata nuk hynë në asnjë shtëpi.
Ndërsa zhvillohej biseda, dhjetëra burra u mblodhën përreth në territorin e një xhamie që ishte shkatërruar në një sulm ajror izraelit gjatë luftës. Me zë të ulët, njëri prej tyre tha: “Hezbollahu duhet të vendosë: ose i përgjigjet Izraelit ose pranon humbjen, çarmatoset dhe na lejon të vazhdojmë me jetën tonë. Kjo nuk mund të vazhdojë”.
Kritikat publike ndaj Hezbollahut janë ende të rralla, por, të rraskapitur, disa duket se po vënë në dyshim konsensusin e vjetër. Pastaj u dëgjua një tingull i largët – nga avionët luftarakë izraelitë në qiell.
Një nga vendet që duket se ishte theksuar në mesazhin e Kolonel Adraee ishte një shtëpi përpara ndërtesës së bashkisë. Izraeli e ka akuzuar shpesh Hezbollahun për vendosjen e arsenalit të tij në zona civile, një akuzë që e u bë edhe nga disa banorë gjatë luftës.
Ezzat Hammoud, kryetari i bashkisë së Beit Lif, tha: “Jo, jo, jo. Nuk ka militantë apo armë këtu. Unë mund të mbaj përgjegjësi për atë që po them”.
Atëherë, pse, nëse ishte kështu, fshati i tij kishte tërhequr vëmendjen e ushtrisë izraelite?
“Ose për të tmerruar banorët dhe për t’i detyruar të shpërngulen”, tha ai, “ose për të ushtruar presion mbi ushtrinë libaneze që të përballet me njerëzit”.
Një burrë i quajtur Haider, familja e të cilit zotëronte shtëpinë, këmbënguli të qonte ekipin e BBC-së për vizitë. Jashtë, një poster kujtonte vëllanë e tij, një luftëtar të Hezbollahut, i cili ishte vrarë në luftë. Haider tha se donte të provonte se nuk kishte asgjë të keqe atje, duke u dukur sikur besonte se duke qenë në media, do të mbrohej disi.
“Mund të hyni dhomë më dhomë dhe të kontrolloni me sytë tuaj”, tha ai.
Më vonë ai tha: “Ne duam stabilitet, nuk duam luftë apo asgjë që lidhet me të”.
Vetëm disa muaj më parë, do të kishte qenë pothuajse e pamundur të zhvillohej një bisedë e tillë apo edhe të bisedohej me njerëz pa u kontaktuar nga anëtarët e Hezbollahut. Haider u ankua se sa i pasigurt ndihej dhe ekipi e pyeti se çfarë duhet të bënte Hezbollahu. Ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha: “Mbaruam. Jemi të lodhur”.
Paralajmërimi për mosdorëzim të armëve
Pavarësisht paralajmërimit, Izraeli nuk e ka sulmuar fshatin.
Në një fjalim televiziv në fillim të këtij muaji, Naim Qassem, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, trajtoi çështjen e sulmeve të vazhdueshme të Izraelit, duke paralajmëruar se “çdo gjë ka një kufi”.
Ai tha se grupi “kurrë” nuk do t’i dorëzonte armët e tij, të cilat i quajti “burimi i forcës së tij”.
“Armiku”, tha Qassem, duke iu referuar Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, “dëshiron të fshijë jetën dhe ekzistencën tonë, por ne do të mbetemi të palëkundur. Ose do të jetojmë me dinjitet ose do të vdesim me dinjitet”.
Arsenali i Hezbollahut, më i fuqishëm se ai i ushtrisë së vendit, i ka përçarë prej kohësh libanezët. Kundërshtarët e akuzojnë Hezbollahun se po e tërheq Libanin në luftëra dhe se po mbron interesat e mbështetësit kryesor të grupit, Iranit. Ata e shohin këtë si një mundësi unike për ta çarmatosur atë. Por presidenti Aoun, i cili është një ish-shef ushtrie, ka refuzuar të përdorë forcën kundër Hezbollahut, duke thënë se kjo mund të përkeqësojë përçarjet sektare dhe të çojë në një luftë civile. Nëse autoritetet nuk do të ishin të kujdesshme, tha Aoun në prill, “do ta çonin Libanin drejt shkatërrimit”.
Një diplomat perëndimor i njohur me diskutimet tha se autoritetet libaneze ishin nën presion në rritje nga administrata Trump, e cila ishte e frustruar me ritmin e përpjekjeve dhe mbështeti veprimet e Izraelit në Liban.
“Disa po e shohin këtë si ‘mënyrën libaneze’ të të bërit të gjërave”, tha diplomati në lidhje me planet e çarmatimit, dhe se sipas tij, ata “nuk janë të bindur” se mund të funksionojë.
Ushtria pritet të njoftojë se ka përfunduar çarmatimin e grupit në zonat në jug të Litanit muajin e ardhshëm. Një oficer i inteligjencës tha se ushtria do ta kthejë vëmendjen e saj në pjesë të tjera të vendit – prania e Hezbollahut është gjithashtu e rëndësishme në Dahieh dhe në Luginën lindore Bekaa. Ky do të jetë një mision më sfidues dhe i rrezikshëm pa pëlqimin e grupit, dhe nuk ka një afat kohor për këtë.
Ekipi i BBC-së vazhdoi me veturë drejt fshatit kufitar Yaroun. Nga atje, mund të shihej një mur betoni që ushtarët izraelitë kishin ndërtuar së fundmi brenda Libanit.
Autoritetet thonë se kjo është një tjetër shkelje izraelite e marrëveshjes së armëpushimit dhe një shkelje e sovranitetit të vendit.
Komunitetet libaneze përgjatë kufirit janë ende në rrënoja – partnerët ndërkombëtarë të Libanit deri më tani kanë refuzuar të financojnë rindërtimin, pjesërisht për shkak të bllokimit mbi çarmatimin e Hezbollahut, teksa ushtria izraelite zbaton de facto një zonë neutrale. Dhjetëra mijëra libanezë mbeten të zhvendosur, pa e ditur se kur – ose nëse, do të jenë në gjendje të kthehen.
Në sheshin e Yaroun, një tabelë reklamuese me një fotografi të udhëheqësit të ndjerë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i vrarë në një sulm ajror izraelit në Dahieh kur konflikti u përshkallëzua vitin e kaluar, mbeti kryesisht e paprekur.
Disa metra larg, u pa një burrë jashtë njërës prej shtëpive të pakta në këmbë. Nayef al-Rida ishte zhvendosur atje me gruan e tij dhe një të afërm të moshuar. Ndërkohë, mund të dëgjohej zhurma e vazhdueshme e një droni izraelit, që fluturonte sipër.
“Kjo ndodh 24/7,”, tha ai.
“Kemi çdo arsye për të pasur frikë”, shtoi Rida.
“Nuk është askush këtu. Do të largoheni pas pak dhe ne do të mbetemi vetëm”, u shpreh ai.
Një flamur i vjetër i Hezbollahut varej në një pemë pranë shtëpisë së tij. Ai tha se nuk ishte i sigurt se grupi do të dorëzonte armët e tij.
I pyetur se çfarë mendonte se do të ndodhte.
“Ne presim mëshirën e Zotit”, tha ai, “Kjo nuk është jetë”.
