Përdorimi i antibiotikëve në vend shënon rënie, ndërsa ndër barnat më të përdorura nga qytetarët vazhdojnë të jenë metformina, pantoprazoli dhe diazepami. Këtë e bëri të ditur sot drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, duke prezantuar të dhënat për konsumin e barnave në periudhën 2023–2025.
Sipas Klekovskit, vlera totale e barnave që financohen nga Fondi dhe shteti në vitin 2025 arrin rreth 11 miliardë denarë, ndërsa pjesa më e madhe e mjeteve është dedikuar për terapitë e shtrenjta që sigurohen përmes buxheteve të kushtëzuara.
“Në krahasim me vitin 2023, kemi shënuar një rritje prej 34 për qind të konsumit të barnave, kryesisht për shkak të futjes së terapive të reja dhe më të kushtueshme. Nga ana tjetër, për herë të parë kemi ulje të përdorimit të barnave antiinfektive, përfshirë antibiotikët, si për nga numri i recetave, ashtu edhe për nga shpenzimet”, tha Klekovski.
Brenda Listës Pozitive A, këtë vit janë lëshuar rreth 27 milionë receta, që paraqet rritje prej tetë për qind krahasuar me vitet e mëparshme. Pjesa më e madhe e mjeteve shpenzohet për barna për sëmundjet kardiovaskulare, të cilat tejkalojnë një miliard denarë.
Rritja më e madhe është regjistruar te buxhetet e kushtëzuara, përkatësisht te terapitë moderne dhe të shtrenjta për sëmundjet onkologjike, sëmundjet e rralla dhe ato autoimune. Sipas Klekovskit, rritja prej rreth 80 për qind ka mundësuar eliminimin e listave të pritjes për disa kategori pacientësh, përfshirë personat me fibrozë cistike, sklerozë të shumëfishtë dhe mungesë të hormonit të rritjes.
Drejtori i FSSH-së njoftoi se nga 1 korriku do të fillojë zbatimi më i gjerë i recetës elektronike, me ç’rast pritet kontroll më i madh mbi lëshimin e barnave dhe ulje e keqpërdorimeve.
“Një nga qëllimet është të parandalohet pagesa e dyfishtë, pra rastet kur bari paguhet njëkohësisht nga pacienti dhe nga Fondi. Sistemi i ri do të përmbajë më shumë kontrolle automatike që do të mbrojnë pacientët, barnatoret dhe mjekët amë”, tha Klekovski.
Ai theksoi se bari më i përdorur në Maqedoninë e Veriut mbetet metformina, e cila përdoret për trajtimin e çrregullimeve metabolike dhe diabetit, me mbi dy milionë receta të lëshuara në vitin 2025. Pas saj renditen pantoprazoli, që përdoret për sëmundjet e stomakut, dhe diazepami.
Klekovski paralajmëroi edhe zgjerimin e mëtejshëm të Listës Pozitive me terapi të reja moderne, duke shtuar se kursimet që do të arrihen përmes uljes së çmimeve të barnave të caktuara do të orientohen drejt futjes së trajtimeve të reja dhe më efikase për pacientët.
