Gazetar: Suad Bajrami
Gjatë ditëve në vijim, Kuvendi do t’i përgjigjet zyrtarisht Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkeljen e afatit gjashtëmujor, për të harmonizuar Kodin Penal pas ndryshimeve skandaloze të vitit 2023 me të cilat u liruan nga përgjegjësia eventuale shumë funksionarë të dyshuar për shpërdorim detyre.
Megjithatë, Kuvendi në një përgjigje për Alsat, hedh përgjegjësinë te Qeveria, duke theksuar se ata e kanë kryer obligim e tyre.
“Në kuadër të Kuvendit është formuar grup punues për të shqyrtuar dhe vepruar ndaj Vendimit Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut lidhur me ndryshimet kontestuese të Kodit Penal në shtator të vitit 2023. Grupi punues në Kuvend e ka kryer punën e tij dhe i ka dorëzuar në Kuvend. Për momentin, procedura e mëtutjeshme është në kompetencë të grupit punues në kuadër të Qeverisë. Kemi pasur paralajmërim se ndodhen në fazë përfundimtare, por deri më tani, propozim-ndryshimet ende nuk janë dorëzuar në Kuvend”, thonw nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Lidhur me këtë çështje, sot reagoi edhe presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila porosit Kuvendin që menjëherë të veprojë sipas udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të mos lejohet të ketë zbrazëtirë ligjore.
“Leksione patjetër duhet të mësojmë. Kur Gjykata Kushtetuese do të miratojë vendim, pa dallim ka të bëjë me listat e pavarura ose çfarëdo çështje tjetër, ja në çështje të materies penale. Ai i thotë Kuvendit, se si ligjvënës menjëherë duhet të fillojë plotësimin e zbrazëtirës ligjore. Është keq të ketë zbrazëtira ligjore”. 08:01 “Ne nuk guxojmë të lejojmë, gjegjësisht ata… Menjëherë duhet, menjëherë të fillojnë me plotësimin e zbrazëtirës ligjore. Për atë habitemi tani me vendimet që i kemi. Nuk guxon ajo të na ndodh”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente.
Kushtetuesja, në shkurt të vitit 2025 kishte shprehur dyshim se ndryshimet e Kodit Penal në shtator të vitit 2023 ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe për këtë hapi procedurë.
Në vendim theksohet që sipas Aktit të Gjykatës, nëse Kuvendi nuk vepron sipas udhëzimeve për intervenime ligjore, Gjykata Kushtetuese do të kalojë në fazën e veprimit, respektivisht do të miratojë vendim përfundimtar, i cili mund të ketë karakter shfuqizues ose anulues, në varësi prej vlerësimit të rëndësisë së shkeljes.
Megjithatë, për të vazhduar më tej, do të pret përgjigje nga shtëpia legjislative. Në rast se Kushtetuesja shfuqizon ose anulon nene të caktuara të Kodit Penal, do të krijohej zbrazëtirë ligjore, e cila do të prodhonte efekte në qarkullimin juridik. / Alsat.mk
The post Kodi Penal/ Shëtitje me përgjegjësinë e ndryshimeve appeared first on Alsat.