Ende nuk dihet nëse do të ketë harmonizim rreth Kodit Zgjedhor, pasi që para dy javësh ndryshimet u gjendën para deputetëve, përcjell TV21. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, thotë se ka pasur takim edhe me përfaqësues të organizatave joqeveritare, pas çka në koordinim me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, ua ka përcjellë mesazhet e tyre se janë të pakënaqur me rritjen e kuotave. Megjithatë, koordinatorët nuk janë pajtuar dhe mendojnë se ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë zgjidhja më e mirë.

“Kandidatët që dëshirojnë të garojnë me lista të pavarura – e dini që ka pasur një zgjidhje që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar – partitë politike kanë propozuar një zgjidhje të re. Sipas asaj që di, ata nuk janë dakord me këtë zgjidhje. Pritet që ky ligj të miratohet, nëse nuk miratohet, ekziston edhe opsioni që të tërhiqet dhe të ulet me ta për të diskutuar që të gjitha palët të jenë të kënaqura. Për këtë, unë do dërgoj apel dhe do të dëshiroja të shkojmë në zgjedhje pa asnjë vërejtje nga ndonjë qytetar, se dikush është ndierë i padrejtë në garën për t’u bërë kryetar komune apo këshilltar në ndonjë komunë”, theksoi Gashi.