Kolumbia ka njoftuar se ka kapur sasinë më të madhe të kokainës në dhjetë vitet e fundit. Janë sekuestruar 14 tonë drogë në Buenaventura, porti kryesor në Oqeanin Paqësor në jugperëndim të vendit.

Zyrtarët thanë se një ekip me qen nuhatës ka ndihmuar në zbulimin e një sasie të madhe të drogës së fshehur, raportoi CBS News.

Kjo sasi e sekuestruar në vendin që është prodhuesi më i madh i kokainës në botë, vjen në një kohë kur Shtëpia e Bardhë vendosi sanksione financiare ndaj presidentit kolumbian Gustavo Petro dhe e hoqi Kolumbinë nga lista e aleatëve në luftën kundër drogës.

Kokaina, e vendosur në dhjetëra thasë prej 50 kilogramësh në një magazinë, ishte maskuar në një përzierje me llaç, njoftoi Ministria kolumbiane e Mbrojtjes në platformën X, duke e cilësuar operacionin si “goditje historike ndaj trafikut të drogës”.

Ministria publikoi një video ku shihet një qen nuhatës që reagon ndaj thasëve, si dhe pamje të policëve që kontrollojnë përmbajtjen me pajisje elektronike. Zyrtarët thonë se sekuestrimi ka parandaluar shpërndarjen e 35 milionë dozave kokaine me vlerë mbi 388 milionë dollarë.

“Kjo është kapja më e madhe që ka bërë policia kolumbiane në dekadën e fundit”, deklaroi Petro.