
Progres i kufizuar në fushën e drejtësisë konstatoi Komisioni Evropian në raportin më të fundit për përparimin e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse raporti thekson se vendi ka ndërmarrë hapa për reforma, vlerësimi i përgjithshëm në pjesën e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit është se nevojiten ende më shumë ndryshime.
“Shteti ka vazhduar punën mbi udhërrëfyesit reformues në fusha kyçe si sundimi i ligjit, administrata publike dhe institucionet demokratike, së bashku me planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave. Megjithatë, dokumenti thekson se janë të nevojshme përpjekje më vendimtare për të forcuar pavarësinë dhe integritetin e drejtësisë dhe për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit. Komisioni e kategorizon përparimin e vendit në fushën e drejtësisë si të kufizuar”, thonë nga Komisioni Evropian.
Problemet më të mëdha janë puna e Këshillit Gjyqësor dhe e Këshillit të Prokurorëve Publik, ku KE vërejti se një numër i madh rastesh gjatë vitit të kaluar mbetën të pazgjidhura. Megjithatë, vërejtja kryesore është se këto institucione ende nuk veprojnë në mënyrë të pavarur, ndërsa narrativi i pushtetit për “pastrim” në drejtësi kategorizohet si një përpjekje për ndërhyrje.
“Pavarësia dhe paanshmëria e drejtësisë duhet të përmirësohen. Niveli i besimit të qytetarëve te drejtësia mbetet shumë i ulët. Ndërhyrjet e jashtme dhe ato politike mbeten një shqetësim serioz. Deklaratat e përsëritura të politikanëve të lartë përbëjnë ndikim të tepruar ose frikësim dhe dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit”, thonë tutje Komisioni Evropian.
Që nga ardhja në pushtet, VMRO-DPMNE ka folur për reforma në drejtësi, dhe pikërisht me iniciativë të qeverisë u miratua edhe interpelanca ndaj Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit, Ljupço Kocevski, edhe pse ai në fund nuk dha dorëheqje. Pas zgjedhjeve, kryeministri njoftoi veprim të ri dhe të vendosur kundër të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
Sa i përket zgjidhjes së rasteve të korrupsionit të lartë, raporti thekson se kjo po zhvillohet në një nivel të qëndrueshëm, ndërsa ndër rastet e hapura nga prokuroria përmendet edhe hetimi për tragjedinë në Koçan, që përfshin disa ish-funksionarë./ Alsat.mk

