Sulmi ndaj kryetares së qyteti të Shkupit, Danela Arsovska, është dënuar edhe nga disa parti politike në vend, si edhe nga kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu.
“Komuna e Çairit dënon ashpër incidentin e ndodhur mes Kryetares së Qytetit të Shkupit, znj. Danella Arsovska, dhe disa individëve në territorin e Komunës së Çairit. Të tilla akte janë të papranueshme dhe përbëjnë cenim të rëndë të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar”, deklaroi Ganiu.
Ata kërkojnë nga institucionet të sqarojnë ngjarjen, duke theksuar se asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk është i përfshirë në këtë ngjarje.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër sulmin ndaj kryetares së Qytetit të Shkupit, znj. Danella Arsovska, i ndodhur gjatë ushtrimit të detyrave të saj zyrtare në territorin e Komunës së Çairit. Aktet e dhunës, sulmet verbale dhe përpjekjet për të penguar zyrtarët institucionalë në kryerjen e obligimeve të tyre përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor”, deklaruan nga BDI-ja.
BDI-ja e vlerësoi këtë akt si të turpshëm dhe ta papranueshëm, duke kërkuar nga institucionet të zbardhin rastin.
Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së në Qytetin e Shkupit gjithashtu e kanë dënuar këtë sulm.
“Dënojnë çdo lloj të dhunës, shtypjes dhe kërcënimit. Çfarëdo sjellje e tillë është e papranueshme dhe jashtë logjikës së shëndoshë”, reaguan nga VMRO-DPMNE duke kërkuar zbardhjen e rastit nga institucionet.
“LSDM-ja e dënon guqishëm sulmin ndaj zyrtarëve të Qyteit të Shkupit. Ky slm brutal është pasojë e atmosferës së frikës dhe mungesës së ligjit që e ka krijuar kjo qeveri”, deklaruan nga LSDM-ja, duke shtuar se në momentin që sulmohet krimi, institucionet nuk të mbrojnë.
Kryetarja e Qyteti të Shkupit, pasdite ka njoftuar se sulmi është kryer nga Sulejman Lamallari., duke shtuar që struktura të Ministrisë së Punëve të Brendshme po bëjnë çmos ta mbrojnë Lamallarin.
Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, u sulmua fizikisht sot (11 korrik) rreth mesditës në Çair të Shkupit, pranë “rrugës së plastikave”. Ndaj sulmit të saj ka reaguar edhe Komiteti i Helsinkit dhe Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Arsovska së fundmi ka qenë në “gjueti të ndërtimeve pa leje” në Komunën e Çairit, duke i dokumentuar ato dhe duke i publikuar në profilin e saj në Facebook përmes video-mesazheve. Ajo madje ka kërkuar ndihmë edhe nga faktori ndërkombëtar.
Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.
The post Komuna e Çairit, BDI-ja, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE e dënuan sulmin, ndërkohë Arsovksa publikoi emrin e sulmuesit appeared first on Alsat.
