Nga dita e djeshme komuna e Tetovës ka bllokuar llogaritë e personave fizikë dhe juridikë që nuk kanë shlyer obligimet ndaj komunës së Tetovës.

Ne zyrën e tatimit në pronë takuam disa qytetarë, por shumica nuk pranuan të flasin para kamerës. Njëri na tregoi se llogaria i është e bllokuar por nuk e di nga kush.

“Jam i bllokuar por nuk e dijë nga kush dhe pse”.

Nga komuna e Tetovës thonë se llogaritë janë bllokuar për të gjithë ata persona fizik dhe juridik që nuk kanë shlyer obligimet deri në vitin 2025. Sipas Nuredin Dearit nga sektori i financave rreth 300 milionë denar është borxhi i qytetarëve ndaj komunës dhe me këtë veprim rreth 150 milionë denarë janë dërguar në përmbarues.

“Pas thirrjeve dhe dorëzimit të vendimeve për mbarim, tash ka filluar edhe realizimi, efekti është i kënaqshëm. Bllokimet janë bërë për kompani, kompani të cilat nuk kanë paguar taksat për firmë dhe personat fizikë të cilat nuk kanë paguar tatimin në pronë për deri në vitin 2025. Buxheti total është mbi 300 milionë denarë mbas të gjitha obligimeve të cilat i kanë kompanitë me personat qytetare, personat fizikë. Por në procedurë, në procedurë janë tani diku 150 milionë denarë”, tha Nuredin Deari.

Komuna e Tetovës para një muaj doli me njoftim deri tek të gjithë qytetarët dhe personat juridikë që të shlyejnë obligimet ndaj komunës, në të kundërtën do të filloj me masën e përmbarimit, një veprim që nga dita e djeshme ka filluar të zbatohet.