Komuna e Tetovës nuk ka buxhet për ndërtimin e murit mbrojtës në rrugën për te Banjat

“Kostoja e lartë e ndërtimit të murit mbrojtës në rrugën për në Banjën e Tetovës , ka bërë që komuna të dorëzohet para këtij problemi. I pari i komunës thotë se kostoja e ndërtimit të murit kap diku rreth 3 milion euro, ndërkohë që komuna, nuk ka aq fonde për ndërtimin e të njëjtit”, raporton Bashkim Sulejmani, Gazetar.

“Komuna nuk ka buxhet për të realizuar këtë mur së paku për këtë vit, andaj strategjia jonë është punime në disa faza, punojmë që kjo rrugë të jetë e qasshme për banorët por duke i këshilluar që rrugën ta shfrytëzojnë me kujdes të shtuar sidomos me automjete. Po ashtu intervenohet në largimin e disa rreziqeve që paraqiten, sidomos vlerësojnë ekspertët të gurëve që rrëshqasin dhe mund të bien e që i largojmë me kohë. Por me përmirësimin e kushteve nga pranvera, do intervenohet tek vazhdimi i murit ku është pjesa më kritike”, tha Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.

Për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut, banorët tashmë evitojnë ecjen nga kjo rrugë.

“Nuk shkoj më deri lartë, nuk shkoj deri në fund kam frikë nga gurët, mund të të godas si dihet”, u shpreh një banor.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale, pas reshjeve të fundit të shiut, kanë caktuar ekip të veçantë që kujdeset për heqjen e dheut dhe gurëve pas rrëshqitjeve të vazhdueshme. /Alsat.mk