Mbledhja e intelektualëve shqiptarë në Kongresin e Manastirit më 1908-tën është akt me domethënie të thellë evropiane, që dëshmon se forca e një shoqërie buron nga dija, nga gjuha dhe nga besimi në të ardhmen! Prandaj kjo ditë është e rëndësishme edhe për shtetin tonë, atdheut tonë të përbashkët që bazohet në idenë se çdo qytetar ka vend të barabartë, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski në seancën solemne që u mbajt në Qeveri për të shënuar Ditën e Alfabetit.
“Maqedonia është shtëpi e dallimeve që nuk na ndajnë, por e pasurojnë rrëfimin tonë të përbashkët nacional. Komuniteti shqiptar me kulturën, gjuhën, traditat dhe vlerat e tij është pjesë thelbësore e shtetit tonë. Sot, kur e shënojmë Ditën e alfabetit shqiptar, u japim mirënjohje përpjekjeve të gjeneratave që janë luftuar për arsim, shkrim-lexim dhe zhvillim kulturor, por edhe të gjithë atyre që sot e vazhdojnë atë rrugë”, tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai u shpreh se përmes kujtimit të kësaj dite, theksohet një parim thelbësor – se në një shtet multientik si Maqedonia e Veriut barazia gjuhësore është pjesë e barazisë funksionale dhe e standardeve evropiane të të drejtave të njeriut.
“Barazia gjuhësore nuk është çështje simbolike, ajo është një parim demokratik dhe një praktikë qe e afron vendin tonë me të ardhmen që synojmë. Gjuha është mjet përfshirjeje, jo përjashtimi! Gjuha është urë komunikimi, jo kufi mes komuniteteve. Qeveria jonë synon të sigurojë kushte të barabarta për zhvillim dhe kultivim të të gjitha gjuhëve që përdoren në vend, si pjesë e një vizioni modern të bashkëjetesës dhe institucionalizimit demokratik”, shtoi Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Fetai bëri thirrje që të gjithë të jetojnë dhe ndërtojnë së bashku për të ecur drejt të ardhmes së përbashkët europiane, gjersa kryeministri Mickoski siguroi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësirë për zhvillim dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe e forcojnë kohezionin mes të gjithë qytetarëve tanë.
