Disa shpendë janë vrarë me pushkë, ndërsa të tjerët janë kapur me dorë. Në total, 24 rosa, 6 pata, 5 pula dhe një korb përfunduan në koshin e mbeturinave, pas konfirmimit të një rasti të gripit të shpendëve në kopshtin zoologjik të Shkupit.
“Pas ngordhjes së një pate në liqenin e Kopshtit Zoologjik të Shkupit dhe dyshimit për grip të shpendëve, është kryer vrasja humane dhe asgjësim i padëmshëm i disa llojeve të shpendëve”,thonë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Kopshti zoologjik është mbyllur sot dhe të punësuarit janë evakuuar. Hyrja dhe dalja e kafshëve nga vendi ku qëndrojnë është e ndaluar.
“Është dhënë urdhër për masa dezinfektimi, ekzaminim të shpendëve të tjerë të pranishëm në kopshtin zoologjik për praninë e virusit të gripit të shpendëve, shtimi i masave të biosigurisë dhe masa të tjera, me qëllim të ndalimit të sëmundjes dhe parandalimit të përhapjes së saj jashtë kopshtit zoologjik tek kafshët dhe njerëzit”, shtojnë nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Kopshti zoologjik do të jetë i mbyllur për vizitorët 21 ditët e ardhshme. Institucioni akuzon se pa asnjë shpjegim, inspektorët të shoqëruar nga persona të armatosur kanë vrarë mëngjesin e sotëm disa zogj, për të cilët kopshti zoologjik thotë se kishin qasje të lirë në oborr si dhe në parkun e qytetit.
“Pa urdhër, vendim apo provë tjetër, inspektorët e AUV-së të shoqëruar nga persona me armë hynë në kopshtin zoologjik të Shkupit dhe masakruan zogjtë. Pa justifikim këta persona me urdhër të drejtorit të AUV-së dhe pa prova deri në këtë moment vranë dhjetëra zogj që bredhin lirshëm në kopshtin zoologjik”, theksojnë nga Kopshti Zoologjik në Shkup.
Luani i sjellë nga Beogradi ka ngordhur në kopshtin zoologjik 3 ditë më parë, ndërsa një prej elefantëve është eutanizuar dy muaj më parë. Tre kuaj u helmuan vitin e kaluar dhe nuk ka më asnjë gjirafë në kopsht. Rastet e fundit të gripit ishin në vitin 2022, në vendbanimet Gradec, Leski dhe Vinicë, Selcë në komunën e Shtipit dhe afër Zllokuçanit, komuna e Karposhit.
