Bashkimi Demokratik për Integrim  në  kongres prezantoi ndryshime në strukturat drejtuese dhe në konceptin e reformimit të brendshëm. Kongresi u shoqërua me dy reagime të kundërta: Njëra palë që përshëndeti përfshirjen e fytyrave të reja dhe tjetra që kritikoi procesin, duke ngritur shqetësime për mungesë të meritokracisë.

Nga drejtuesit e partisë, reformat u cilësuan si të domosdoshme për modernizimin e organizatës dhe përshtatjen me sfidat e reja politike, ekonomike dhe shoqërore. Sipas tyre, ndryshimet nuk kanë për qëllim përjashtimin e askujt, por hapjen e partisë ndaj energjisë së re, ideve të freskëta dhe një vizioni afatgjatë.

Sekretari i përgjithshëm, i sapo zgjedhur,  Arbër Ademi për TV21 tha se në këtë kongres u miratuan ndryshime thelbësore, si në aspektin strukturor/kadrovik ashtu edhe në aktet themelore të partisë, duke forcuar funksionimin e saj demokratik.

“Rizgjedhja dhe rikonfirmimi i kryetarit z. Ali Ahmeti përfaqëson vazhdimësi, stabilitet dhe udhëheqje të sigurt të procesit reformues, i cili u realizua në mënyrë kolegjiale nga udhëheqja dhe anëtarësia e gjerë e BDI-së, duke dëshmuar kështu përgjegjësi të lartë dhe autorësi kolegjiale të këtij procesi.

Për herë të parë në Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm (Kryesinë Qendrore) janë përfshirë 20 anëtarë të rinj, që për herë të parë janë pjesë e këtij organi, si dhe është arritur një përfaqësim dinjitoz gjinor, si asnjëherë më parë, me 10 gra, çka dëshmon përkushtimin tonë për gjithëpërfshirje dhe barazi”, tha Arbër Ademi – sekretari i ri i çërgjithshëm në BDI.

Në anën tjetër, kritikët e reformave theksojnë se në proces nuk janë përfshirë mjaftueshëm kuadro me përvojë dhe se disa vendime janë marrë pa konsultim të gjerë brenda strukturave.

“Në këtë proces, reforma nuk u ndërtua mbi analizë, përgjegjësi dhe ballafaqim me dështimet, por mbi nevojën për ta ruajtur pushtetin politik brenda organizatës, duke i dhënë atij një fytyrë tjetër. Ndërrimi i emrave dhe pozicioneve nuk prodhon besim, përkundrazi e thellon dyshimin se gjithçka është bërë për sy e faqe”, shkruan Valmir Aziri nga BDI.

“Një parti që synon të mbetet relevante dhe e besueshme duhet të rikthejë meritokracinë si parim themelor, të dëgjojë zërat kritikë nga brenda dhe të krijojë hapësirë për ata që kanë dëshmuar me vepra, jo me servilizëm. Vetëm përmes këtij korrigjimi të brendshëm mund të forcohet besimi publik dhe të ndërtohet një vizion politik që i shërben vërtet shoqërisë”, pohoi Festim Halili – BDI.

Megjithatë Ahmeti në fjalimin e tij tha se ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion.

 “BDI hyn në një fazë të re politike: më e hapur, më moderne dhe më e përgjegjshme. Ne u bëjmë thirrje të rinjve, grave, profesionistëve dhe diasporës të bëhen pjesë aktive e këtij procesi shtetformues. E ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion. Jo me ndasi, por me barazi. Jo me eksperimente, por me përgjegjësi shtetërore”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Analistët vlerësojnë se kjo përplasje është e zakonshme në çdo proces reformimi të thellë partiak. Sipas tyre, reformat zakonisht prekin interesa të konsoliduara ndër vite, ndaj edhe rezistenca është e pritshme, veçanërisht nga struktura që për një kohë të gjatë kanë pasur rol dominues brenda partisë.

Sipas njohësve të zhvillimeve politike, sfida kryesore për partinë nuk është vetëm ndryshimi i emrave, por ndërtimi i një vizioni të qartë për zhvillimin e vendit – për ekonomi funksionale, arsim cilësor, shtet ligjor dhe perspektivë për gjeneratat e ardhshme.

Nëse reformat do të prodhojnë rezultat konkret, pritet të shihet në periudhën e ardhshme, jo vetëm në funksionimin e brendshëm të partisë, por edhe në ofertën e saj politike ndaj qytetarëve. Kongresi ka kaluar, por debati për drejtimin dhe thellësinë e reformave sapo ka nisur.