Një 42-vjeçar, i cili u kap në flagrancë gjatë transportimit të mallrave që kishte kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut, është arrestuar nga policia shqiptare në Dibër. Në pranga ka rënë edhe një doganier  i degës Bllatë, pasi dyshohet se nëpërmjet korrupsionit, ka lejuar kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale, përcjell TV21. Një doganier tjetër është vënë nën hetim, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.

“Në kuadër të operacionit “Skaneri” u vu në pranga shtetasi A. C., 42 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja të ardhurave”;  -u vu në pranga shtetasi A. L., 51 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës” dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 50 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier në Degën Doganore Bllatë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Në territorin e njësisë administrative Maqellarë, u ndalua automjeti tip “Opel” që drejtonte 42-vjeçari. Nga kontrolli në automjet u gjetën mallra (kuti me detergjente dhe materiale për paketim) të dyshuara të kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Nga hetimet e mëtejshme për këtë rast, dyshohet se 2 doganierët kanë shpërdoruar detyrën, duke favorizuar 42-vjeçarin, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.