Koreja e Jugut tha se ka dorëzuar notë proteste te përfaqësuesit e Kinës dhe Rusisë më 10 dhjetor, një ditë pasi Seuli tha se aeroplanët ushtarakë të këtyre shteteve hynë në zonën e tij të mbrojtjes ajrore.

Seuli tha se ankesa iu dorëzua atasheve të mbrojtjes të dy shteteve që gjenden në kryeqytetin e Koresë së Jugut.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të përgjigjet në mënyrë aktive ndaj aktiviteteve të aeroplanëve të shteteve fqinje brenda KADIZ-it, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Lee Kwang-suk, drejtor i përgjithshëm i Byrosë të Politikave Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes të Seulit, duke iu referuar Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Koresë.

Koreja e Jugut tha të martën se kishte dislokuar “aeroplanë luftarakë për të ndërmarrë masa taktike në përgatitje të çdo situate” në përgjigje të inkursionit kinez dhe rus në KADIZ.

Aeroplanët u detektuan para se të hynin në KADIZ, që përshkruhet si një zonë e gjerë ku shtetet monitorojnë avionët e tyre për arsye sigurie, por që nuk përbën hapësirën e tyre ajrore.

Pekini më vonë konfirmoi se kishte organizuar stërvitje me ushtrinë e Rusisë në përputhje “me planet vjetore të bashkëpunimit”.

Ndërkaq, Moska i përshkroi si stërvitje rutinë, duke shtuar se ato zgjatën tetë orë dhe disa aeroplanë të huaj luftarakë ndoqën aeroplanët rusë dhe kinezë.

Që nga viti 2019, Kina dhe Rusia vazhdimisht kanë fluturuar aeroplanët e tyre ushtarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut pa njoftim paraprak, duke thënë se po kryenin stërvitje të përbashkëta.

Nëntorin e vitit të kaluar, Seuli ngriti në ajër aeroplanët pasi pesë aeroplanë ushtarakë kinezë dhe gjashtë rusë fluturuan përmes zonës së tij të mbrojtjes ajrore.

Incidente të ngjashme kishin ndodhur edhe në qershor dhe dhjetor të vitit 2023 si dhe në maj dhe nëntor të vitit 2022.

The post Koreja e Jugut me notë proteste pas inkursionit nga Kina dhe Rusia appeared first on Alsat.