Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri në një status në rrjetin social Facebook, ka reaguar në lidhje me punimet në korridorin 8. Zekolli-Shaqiri thekson se lidhja e autostradës Strugë-Qafë Thanë do të realizohet, duke shtuar se aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm në koordinim me UNESCO-n.

Statusi i plotë i zëvensëministres së Transportit Kaltrina Zekolli Shaqiri.

Si Zëvendësministre e Transportit, ndjej për obligim të informoj opinionin publik lidhur me zhvillimet më të fundit për Korridorin 8, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për vendin tonë dhe për rajonin.

Punimet në kuadër të Korridorit 8 janë duke u zhvilluar dhe progresi është i dukshëm në të gjitha segmentet ku janë përmbushur kushtet ligjore dhe teknike. Megjithatë, për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, është e rëndësishme të sqarohet se gjatë fazës së projektimit fillestar nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, përkundër ndjeshmërisë së zonës.

Në këtë drejtim, në takimin e fundit të zhvilluar para disa javësh ndërmjet Ministrit Nikoloski dhe përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual, të cilin ne e kemi trashëguar. Për ne është thelbësore që të mos rrezikohet në asnjë moment statusi që gëzon vendi ynë në raport me këtë organizatë. Njëkohësisht, duhet theksuar se shumica e projekteve në Ministrinë e Transportit kanë mbetur të palëvizura për dekada. Gjatë gati dy viteve të qeverisjes sonë, kemi arritur t’i vëmë në lëvizje shumë prej tyre dhe të sigurojmë progres të dukshëm. Me të njëjtin përkushtim do të vazhdojmë edhe në vijim.

Dua të theksoj qartë se lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet. Aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm, në koordinim me UNESCO-n, në mënyrë që ky projekt të mos pengohet dhe të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu, Ministria e Transportit është drejt përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë, çka dëshmon qartë përkushtimin tonë për një lidhje të plotë dhe funksionale të kësaj autostrade.

Lidhja infrastrukturore me Republikën e Shqipërisë është prioritet strategjik dhe do të realizohet me patjetër, pavarësisht zgjidhjes përfundimtare teknike që do të përzgjidhet për këtë segment.