Mesazhe të qarta nga eurokomisarja për Zgjerim, Marta Kos, se Maqedonia është një vend që shënon përparim serioz në reforma dhe për këtë arsye është në grupin e vendeve kandidate që marrin më shumë mjete nga Plani i Rritjes. Ajo theksoi se si anëtare e plotfuqishme vendi do të marrë shumë më tepër mjete, se Maqedonia ka vend në Bashkimin Evropian, por nuk harroi të porosisë se për këtë nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, ajo hodhi poshtë atë që kryeministri Mickoski vazhdimisht e përsërit si kërkesë – se ndryshimet kushtetuese do të miratohen vetëm nëse paraprakisht merr garanci se nuk do të ketë kërkesa dhe bllokime të reja nga ana e Bullgarisë.

“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese të dakorduara mbetet hapi i ardhshëm i domosdoshëm drejt fillimit formal të negociatave për anëtarësim. Prandaj, edhe një herë e inkurajoj Qeverinë që ta iniciojë procesin për t’i miratuar së shpejti ndryshimet në Kushtetutë. Ju keni vend në Bashkimin Evropian si një vend anëtar i plotfuqishëm i BE-së. Zgjerimi i BE-së nuk është ndërtuar mbi garanci që jepen paraprakisht, por ndërtohet mbi besim, obligime, përkushtim, përmbushjen e tyre dhe punë”, tha Marta Kos.

Kryeministri Mickoski tha se pret që integrimi evropian të bëhet një proces i bazuar në kritere të qarta, në vlera dhe në përmbushjen e agjendës së reformave, e jo një proces i ngarkuar me çështje dypalëshe. Ai gjithashtu theksoi se reformat në vend janë shumë më të mëdha nga ajo që paraqitet.

“Jam i bindur se ne si Qeveri jemi vërtet pararendës kur bëhet fjalë për cilësinë e realizimit dhe shpejtësinë e realizimit, përkushtimin dhe punën, dhe në këtë drejtim do të vazhdojmë të punojmë. Për ne, në këtë moment, nuk ka asnjë opsion tjetër dhe asnjë plan B, për ne opsioni i vetëm është anëtarësimi në kuadër të Bashkimit Evropian dhe përkushtimi në pjesën e realizimit të reformave”, deklaroi Hristijan Mickoski.

Në lidhje me Kodin Zgjedhor, Kos porositi se pret që partitë të arrijnë marrëveshje dhe që në këtë periudhë të shkurtër deri në mes të këtij muaji, Kuvendi t’i votojë ndryshimet ligjore, me çka Maqedonia do të mund të marrë edhe 4 milionë euro shtesë nga fondet evropiane. “Duke pasur parasysh se keni përmbushur 90 për qind të reformave, i ftoj të gjitha palët që të sigurojmë sukses 100 për qind me miratimin e Kodit Zgjedhor”, theksoi eurokomisarja Kos.