Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se kriza aktuale politike në Kosovë po ndikon drejtpërdrejt në proceset që lidhen me Planin e Rritjes për vendin.

Ajo gjatë një interviste për A2CNN, shprehu pakënaqësinë e saj për faktin që Kosova po shkon sërish në zgjedhje, duke theksuar se Komisioni Evropian është në pritje të ratifikimit të dy marrëveshjeve që janë thelbësore për të lëshuar fondet.

“Për çështjen e Kosovës, nuk jam e kënaqur që tani do të kenë përsëri zgjedhje, por demokracia e tyre po funksionon dhe jam e kënaqur për këtë. Pse nuk jam e kënaqur? Sepse po presim ratifikimin e dy marrëveshjeve për Planin e Rritjes. Pra, për momentin, Kosova po i bën reformat, por ne nuk mund t’i paguajmë paratë sepse nuk i kemi këto dy marrëveshje. Nga ana tjetër, siç e dini, Kosova, edhe duke mos qenë ende kandidate zyrtarisht, është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë evropiane, ashtu si dhe vendi tuaj, Shqipëria. Ju keni marrëdhënie shumë të mira me këtë vend, që do të thotë se nuk mund ta përfytyroj përfundimin e bashkimit të Evropës pa integruar edhe Kosovën në Bashkimin Evropian. Pra, do të punojmë për këtë. Unë shpresoj se së shpejti, pas zgjedhjeve, do të kemi një qeveri të re dhe pastaj, qeveria është ajo që mund të shtyjë përpara reformat. Dhe jam e sigurt se janë të gatshëm ta bëjnë këtë në aspektin ekonomik. Po ecin shumë mirë. Ata kanë kryer tashmë disa nga reformat, kështu që mezi pres që të kenë një qeveri funksionale dhe efikase dhe, pastaj, do të mund të përshpejtojmë, ndoshta në një moment tjetër, edhe procesin e anëtarësimit.”, ka thënë ndër tjerash ajo.