Kombëtarja shqiptare e Kosovës e ka zhvilluar edhe stërvitjen e dytë në stadiumin “Fadil Vokrri” para përballjes me Turqinë. Atmosfera te “Dardanët” duket e shkëlqyer, me plot humor ndërsa dëgjonin instruksionet e Franco Fodas para sfidës me turqit.

Për dallim nga Turqia që rrezikon të jetë pa dyshen Hakan Calhanoglu e Merih Demiral, Kosova i kishte të gjithë lojtarët në stërvitje kësisoj nuk pritet të ketë ndonjë mungesë të momenteve të fundit.

Futbollisti Fisnik Asllani thotë se janë gati të japin më të mirën për të mposhtur Turqinë në finalen e play-offit. Sipas tij triumfi i fundit në Sllovaki ua ka rritur vetëbesimin lojtarëve dhe këtë janë të gatshëm ta dëshmojnë.

“Besoj që fitorja na ka dhënë shumë vetëbesim, kështu që të martën kundër Turqisë kemi me bo një lojë shumë të mirë, t’i kemi tifozët pranë vetës. Shpresoj që e fitojmë lojën dhe shkojmë në Kupën e Botës”, tha Fisnik Asllani – futbollist.

Portieri i Sassuolos Arijanet Muric ka premtuar se Kosova do të bëjë gjithçka për ta mposhtur Turqinë.

“Jemi gati dhe besoj se do të jetë një ditë e bukur në Prishtinë. Do të japim gjithçka për të fituar. Siç e kam thënë më parë deri në momentin e fundit asgjë nuk përfundon dhe ja ku jemi tani. Gjithçka varet nga ne. E kemi merituar dhe do të japim maksimumin për të marrë fitore”, u shpreh portieri i Kosovës, Arijanet Muric.

Përndryshe, Kosova do ta zhvillojë edhe një stërvitje ditën e hënë, e cila do të jetë e fundit para ndeshjes më të rëndësishme në histori.

Kujtojmë, përballja e zjarrtë mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet këtë të martë nga ora 20:45 në tempullin “Fadil Vokrri”, kurse cilado kombëtare që arrin fitore atëherë do ta sigurojë biletën që të shpie në Kampionatin Botëror 2026.