Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) ka shprehur mbështetjen për sulmin ushtarak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.

Në një deklaratë në Facebook të shtunën, MPJD-ja thekson se SHBA-ja ka ndërmarrë veprime ushtarake ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, të cilin e cilëson si regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

“Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci”, thuhet në deklaratë.

Tutje, Ministria vlerëson se regjimet që shtypin qytetarët e tyre, mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.

Sipas MPJD-së, liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.

“Në këtë frymë, qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike”, përfundon reagimi i Ministrisë.