Gazetare: Ajnur Bafqari

Në Kosovë, deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri, brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja, që sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka propozuar 7 qershorin si datë për zgjedhjet e parakohshme.  Dy kandidatet për presidente të propozuara nga Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan në mungesë të kuorumit, pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në seancë.

“Siç po e shihni, jemi në minutat e fundit të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës, apo thënë më saktë në minutat e fundit të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës”- tha Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Vetëvendosje ka thënë se ka bërë përpjekje për të arritur një zgjidhje për presidentin, por ofertat  janë refuzuar nga opozita.

“Vetëm 4 muaj pas zgjedhjeve duan zgjedhje të reja, ata nuk janë të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë zgjidhje, ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet, por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata, vendos populli i Kosovës, i cili gjithnjë e më shumë na ka mbështetur neve, në përputhje me realizimin e zotimeve tona,” deklaroi kreu i LVV-së, Albin Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence. Lidhja Demokratike e Kosovës në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti, t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.


“Ashtu siç e patë, sonte përfundoi edhe episodi i fundit i një filmi triller i një kohe e cila me të vërtetë secilin qytetar të Kosovës është duke e mbajte në ethe. Sonte edhe në episodin e fundit, edhe në seancën e fundit kryeministri i Kosovës e keqpërdori foltoren, duke e  goditur skajshmërish opozitën,” tha Besnik Tahiri nga AAK.

“Vjosën nuk e deshën, nuk e votuan, besoj që populli i Kosovës të ketë mendim ndryshe për këtë çështje, LDK-ja do të udhëheq procesin përgatitor për zgjedhjet e ardhshme, do të vijë me një lsitë të shkëlqyeshme,” nënvizoi Lumir Abdixhiku nga LDK.

Që nga mbrëmja e 27 prillit, deputetët e shumicës parlamentare tentuan të zgjidhnin presidentin e ri, por partitë opozitare bojkotuan punimet e seancës, pasi bisedimet me partinë në pushtet, Vetëvendosje, dështuan dhe nuk u arrit një marrëveshje. LVV-ja më 27 prill tërhoqi dy kandidatët e parë Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakun, dhe më pas se një orë më vonë kandidoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Opozita i kundërshtoi edhe kandidaturat e reja dhe nuk mori pjesë në asnjë seancë për presidentin, as më 27 prill e as gjatë së martës./Alsat.mk.

The post Kosova shkon në zgjedhje të reja, KQZ propozon 7 qershorin, si datë për zgjedhjet e parakohshme appeared first on Alsat.