Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shpallur fitoren e kandidatit të kësaj partie, Përparim Rama, në Prishtinë, në garën për kryetar të qytetit.

Abdixhiku në konferencën për media deklaroi se kandidatët e LDK’së që kanë fituar në komuna do të qeverisin për të gjithë qytetarët.

Ai shtoi edhe se qytetarët kanë nevojë për punë e shërbim, dhe jo, siç theksoi i pari i LDK’së, për armiq.

‘’Sot LDK e shpall fitoren në kryeqytet, Përparim Rama është kryetar edhe për katër vitet e ardhshme. Kemi fituar në Prishtinë,. Kjo është fitore e qytetarit që kërkon dinjitet në jetën publike, e njerëzve që duan zhvillimin jo propagandën, që duan qetësinë e jo urrejtjen. Është fitore e Kosovës, që refuzon përçarjen dhe zgjedh unitetin kombëtar. Kemi fituar me qytetari, me ide, me punë, me përkushtim. Në çdo komunë ku kemi fituar ne do të kemi qeverisje për të gjithë qytetarët. Sonte dua të themë qartë dhe zëshëm, fituesit tanë deri sonte ishin vetëm kandidatë të LDK, nga sonte këta fitues janë kryetarë të të gjithë qytetarëve të komunave të tyre. Sepse qytetarët kanë nevojë për punë dhe shërbim, nuk kanë nevojë për armiq, kanë nevojë për partnerë’’, ka thënë ai mes tjerash.

The post Kosovë/ Abdixhiku shpall fitoren e Ramës në Prishtinë: Qytetarët kanë nevojë për punë e shërbim, jo për armiq appeared first on Alsat.