Qarkullim të këmbësorëve, trotineteve e biçikleta ka pasur vazhdimisht në urën kryesore mbi lumin Ibër.
Por përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë përsëritur qëndrimin se nuk ka arsye që të mos hapet ura edhe për vetura, duke shtuar se testimet janë kryer.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka thënë për Kosovapress se nuk ka arsye që ura të qëndrojë e mbyllur.
“Është bërë shqyrtimi teknik i urës dhe mbetet të marrim përgjigje. Unë mendoj që në aspektin teknik është, po flas paraprakisht nuk shohim që ka ndonjë problem, por megjithatë shqyrtimet do të japin rezultatet e veta në aspektin teknik të funksionimit të urës. Marrëveshja, e dimë që marëveshja politike ekziston dhe shumë më herët është dashur të hapet. Nuk ka ndonjë arsye të mos hapet, urat bashkojnë njerëzit”, tha ai.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, shprehet optimist për hapjen e urës.
Thotë se me përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk mund ta arsyetojnë mbajtjen e urës të mbyllur për qarkullimin e mjeteve motorike.
“KFOR-i e EULEX-i janë ata të cilët nuk po e japin lejen për mbrojtjen e vlerave demokratike e evropiane sidomos të atyre shteteve prej ku vijnë; në bisedime, kur kemi biseda në nivel lokal me përfaqësues ndërkombëtarë kurrë s’kemi mundur të marrim përgjigje (në pyetjen v.j) pse. Sepse ne si shtet demokratik meqë vlera kryesore është liria e lëvizjes”.
Por, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur sërish akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e quajtur atë person të rekrutuar nga Serbia.
Haradinaj, i cili nga 2017-ta deri më 2020 ka qenë kryeministër, ka fajësuar Kurtin për prishjen e marrëdhënieve, jo vetëm me aleatët perëndimor, por edhe me Shqipërinë.
Haradinaj ka thënë se kjo formë e qeverisjes ka detyruar njerëzit që ta braktisin vendin, andaj sipas tij, duhet shfrytëzuar zgjedhjet e ardhshme për të bërë ndryshimin.