Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të nisë sot dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës, në mënyrë që ata të votojnë me postë, për zgjedhjet që do të mbahen në vend me 28 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për portalin rtv21.tv ka thënë se dërgimi do të nisë përmes operatorit ekonomik.

“Ju njoftoj se ditën e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës’’, ka thënë Elezi.

Ndryshe zgjedhjet parlamentare do të mbahen për herë të dytë brenda këtij viti. Për dallim nga ato të 9 shkurtit, zgjedhjet e 28 dhjetorit do të zhvillohen për shkak të mos krijimit të qeverisë, për të cilën Lëvizja Vetëvendosje, dështoi ta bënte, edhe pse pati dy herë mundësinë përmes mandatarëve, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Lidhur me këtë, tashmë partitë kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër, si dhe kanë publikuar listat e kandidatëve për deputetë.

Kurse sa i përket numrit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ ditë më parë ka bërë të ditur se janë rreth 58 mijë persona që janë regjistruar të votojnë me postë.