Kriza në ASH, dorëheqje masive në partinë e Taravarit

Dorëheqja kolektive e kryesisë së Aleancës për Shqiptarët nuk sqarohet më shumë nga anëtarët e kësaj partie. Blerant Ramadani, Sekretari i Përgjithshëm i ASH-së që po ashtu supozohet të jetë dorëhequr gjatë këtij procesi, nuk jep më shumë sqarime. Po ashtu nuk sqarohet se si do të vijojë konsolidimi i ASH-së kur nuk ka përfunduar procesi gjyqësor për vulat mes ASH-së së Taravarit dhe ASH-së së Selës.

Në komunikatën e një dite më parë, shkurt thuhet se partia deri në kongresin e partisë që më së voni pritet të mbahet në vjeshtë, do të drejtohet vetëm nga Taravari.

“Ky vendim u mor me bindjen se partia ka nevojë për freski organizative, përfshirje të kuadrove të reja dhe reforma të thella e gjithëpërfshirëse, të cilat do ta forcojnë më tej profilin politik dhe funksionimin e brendshëm të Aleancës për Shqiptarët, si dhe si reflektim mbi rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve lokale. Drejtimin e partisë, deri në mbajtjen e Kuvendit dhe Kongresit partiak, do ta ushtrojë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, z. Arben Taravari, ndërsa Kuvendi i Partisë do t’i konstatojë zyrtarisht dorëheqjet” – Aleanca për Shqiptarët (E Taravarit).

Taravari, një ditë më parë, në intervistë për Kanal 5, nuk e mbështeti pjesëmarrjen e partnerit të koalicionit, kreut të BDI-së Ali Ahmeti, në takimin e ldierëve. Ai u shpreh i habitur që palët kanë biseduar për “Safe City” dhe për një njësi zgjedhore kur ai nuk ndan të njëjtin qëndrim për këtë të fundit. Po ashtu Taravari tha se në takim duhet të ishte biseduar për ndryshimet kushtetuese dhe kërkesat e tjera të shqiptarëve, si badenter në qeveri dhe badenter në Gj. Kushtetuese.

“Koalicion po, bashkëpunim po, megjithatë nuk jemi e njëjta part. Ne jemi Aleanca për Shqiptarët kurse ata janë BDI. Ka dallim shumë të madh. 10 vite kemi qenë kundërshtarë politik kurse tani vendosëm të bashkëpunojmë dhe mendoj se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë deri në fillimin e negociatave me BE-në, gjegjësisht me miratimin e ndryshimeve kushtetuese” Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Që me ndarjen në dy tabore, ASH është në kontest gjyqësor për çështjen e vulave. Gjykimi i shkallës së parë vendosi që vulat i takojë fraksionit të Selës. Çështja është në Gjykatën e Apelit./Alsat.mk