Presidenti Emmanuel Macron ka shprehur “mbështetjen e tij të plotë” për kryeministrin François Bayrou, i cili pritet të humbasë një votëbesim muajin e ardhshëm, një zhvillim që, me shumë gjasë, do të rrëzonte qeverinë franceze.
Macron drejtoi një mbledhje të kabinetit të mërkurën, në një kohë kur Franca po përballet me një krizë të re politike. Zëdhënësja e qeverisë, Sophie Primas, deklaroi pas mbledhjes se presidenti qëndron fort përkrah Bayrou-t dhe se qeveria ruan një “frymë luftarakë”.
Bayrou, një politikan centrist dhe aleat i ngushtë i Macron-it, njoftoi këtë javë se më 8 shtator do t’i kërkojë parlamentit votëbesimin për masat e tij shtrënguese që synojnë uljen e shpenzimeve publike dhe reduktimin e borxhit shtetëror.
Partitë opozitare kanë bërë të qartë se do të votojnë për rrëzimin e Bayrou-t, i cili, sipas sondazheve, është kryeministri më pak i pëlqyer në Francë që prej vitit 1958. Propozimet e tij për një shkurtim buxhetor prej 44 miliardë euro, përfshirë heqjen e dy festave zyrtare dhe ngrirjen e shumicës së përfitimeve sociale, kanë hasur në pakënaqësi të gjerë publike.
Primas tha se presidenti Macron theksoi se duhet shmangur si mohimi, ashtu edhe dramatizimi i situatës së financave publike dhe u kërkoi partive opozitare të tregojnë “përgjegjësi”.
“Franca është një vend i qëndrueshëm me ekonomi të qëndrueshme por duhet të marrim në dorë fatin tonë,” shtoi ajo. Sipas Primas, Macron ka dhënë “një sinjal të fortë për tregjet financiare” se Franca synon të ruajë dhe forcojë qëndrueshmërinë e saj ekonomike.
Macron po përpiqet ende të menaxhojë pasojat e krizës politike që nisi verën e kaluar, kur ai thirri zgjedhje të parakohshme të papritura që rezultuan me një parlament të bllokuar pa shumicë absolute. Prej asaj kohe, Asambleja Kombëtare është e ndarë thellë mes së majtës, së djathtës ekstreme dhe qendrës.
Michel Barnier, ish-kryeministri i djathtë që Macron e emëroi në shtator për të unifikuar parlamentin e përçarë, u rrëzua pas vetëm tre muajsh, pasi buxheti i tij u hodh poshtë.
Bayrou mori detyrën pas Barnier, por edhe ai rrezikon të largohet pas vetëm nëntë muajsh nëse votëbesimi dështon. Edhe nëse Macron emëron shpejt një kryeministër të ri, nuk është e sigurt se ai do të arrijë të krijojë konsensus për buxhetin e vitit të ardhshëm në një parlament thellësisht të përçarë.
Thirrjet për zgjedhje të reja parlamentare janë shtuar të mërkurën, pavarësisht se kanë kaluar më pak se 18 muaj nga zgjedhjet e fundit. Partia e ekstremit të djathtë, Rally Kombëtar i Marine Le Pen, mbështet një palë zgjedhje të reja, duke shpresuar të fitojë më shumë ulëse.
Sipas sondazheve të Ifop, Elabe dhe Toluna Harris Interactive, shumica e qytetarëve francezë mbështesin shpërndarjen e parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Edhe pse Macron është shprehur se dëshiron ta shmangë këtë skenar, ai nuk e ka përjashtuar si mundësi.
Ish-kryeministri Édouard Philippe, tani lider i partisë qendrore të djathtë Horizons, tha se nëse bllokada vazhdon dhe asnjë qeveri nuk arrin të paraqesë një buxhet, zgjedhjet do të bëhen të pashmangshme.
Gabriel Attal, një tjetër ish-kryeministër dhe aktualisht lider i partisë qendrore Renaissance të Macron-it, paralajmëroi se zgjedhjet e reja nuk do të sillnin domosdoshmërisht stabilitet apo qartësi.
Ndërkohë, Bayrou ka paralajmëruar se borxhi publik i Francës është i paqëndrueshëm, sidomos tani që normat e interesit po rriten, duke rritur ndjeshëm koston e huamarrjes. Pas viteve me shpenzime të larta, Francës i është kërkuar nga Bashkimi Evropian të ulë deficitin dhe të frenojë borxhin publik. Megjithëse të gjitha partitë politike e pranojnë se borxhi është problem serioz, ato nuk bien dakord për mënyrën se si duhet adresuar.
